Kosova pjesë e fushatës “Një Miliard në Këmbë 2017”

     Edhe pse 14 shkurti në të gjithë botën festohet si dita e të dashuruarve, aktivistet për të drejtat e grave dhe vajzave, ka disa vite që këtë datë po e manifestojnë ndryshe. Kjo falë fushatës globale “Një Miliard në Këmbë” (“One Billion Rising”), nismë e cila ka filluar që nga shkurti i vitit 2012. E tëra ka filluar si thirrje për veprim e bazuar në statistikat shqetësuese të cilat tregojnë se 1 në 3 gra në botë sulmohen fizikisht apo përdhunohen gjatë jetës së tyre. Me një popullsi botërore që arrin në 7 miliardë, kjo i bie më shumë se 1 miliard gra dhe vajza përjetojnë forma të ndryshme të dhunës.
     Që nga fushata e parë në nivel botëror, edhe Kosova është bërë pjesë e kësaj nisme duke e organizuar çdo vit ngjarjen “Një Miliard në Këmbë”. Në këtë ditë, në Kosovë aktvistët feministë, aktivistët për të drejtat e grave dhe vajzave, individë dhe organizata, janë bashkuar për të marshuar, kënduar e vallëzuar duke u bërë kështu pjesë e organizimeve që ndodhin në të gjithë botën.
     Edhe sivjet Kosova u bë pjesë e “Një Miliard në Këmbë”, duke bërë thirrje që të ndalohet shfrytëzimi i grave dhe vajzave. Shfrytëzimi nënkupton të trajtuarit e një personi në mënyrë të pa drejtë në mënyrë që të përfitohet nga puna e atij personi, si dhe shfrytëzimi për përfitime nga burimet e marra prej personit që po shfrytëzohet. Për gratë dhe vajzat, shfrytëzimi është edhe më i rëndë, ndaj tyre është bërë abuzim i pushtetit në të gjitha sferat e jetës, duke filluar në shtëpi, në punë dhe ekonomikisht ku atyre u ipen pak mundësi për mbijetesë.
     Në Prishtinë dhe në Mitrovicë u organizuan marshe, performanca dhe vallëzimi tashmë tradicional, nën tingujt e “Break the Chain” që është edhe himni i fushatës Një Miliard në Këmbë. Organizimi i Një Miliard në Këmbë në Kosovë u bë nga organizata jo-qeveritare ARTPOLIS e përkrahur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Nisma për Lirinë dhë të Dretat e Njeriut, Këshilli Rinor Kosovar, Qendra për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë (CEL), Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Peer Educators Network.