Me 1-2 qershor, aktivistë, zyrtarë dhe deputetë nga mbarë rajoni dhe më gjërë, u mblodhën në Tiranë për të reflektuar mbi “Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor: nga pilotimi deri në rezultate.” Pjesëmarrësit vinin nga Turqia, Bosnia & Hercegovina, Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Ukraina, Moldavia dhe Kosova, përfshirë edhe përfaqësueset e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).
Punëtoria shërbeu për identifikimin e disa prej praktikave më të mira në rajon. Për shembull, Ministria e Financave ka luajtur rol kyç në institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGj) në Shqipëri, ku udhëzimet buxhetore kanë kërkuar prej secilës organizatë buxhetore që të identifikojnë së paku një objektivë që kontribuon drejtpërdrejtë në barazinë gjinore. Në Bosnjë & Hercegovinë, indikatorët buxhetor janë përfshirë në Sistemin e tyre të ri elektronik të Menaxhimit të Buxhetit. Shumë shtete kanë bashkëpunuar në zhvillimin e një kurrikule dhe teksti mësimor për prezantimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në universitete, gjë për të cilën ata pajtohen se është thelbësore për trajnimin e zyrtarëve të ardhshëm. Udhërrëfyes të thjeshtë praktik, siç janë ata të krijuar nga RrGGK për nivelin lokal dhe qendror, mund të jenë të dobishëm për zyrtarët në kryerjen e BPGj-së. Në fakt, një nga pjesëmarrësit përmendi që materialet e RrGGK, të shpërndara gjatë konferencës së Rrjetit Evropian për Buxhetim Gjinor (European Gender Budgeting Network) të mbajtur vitin e kaluar në Vjenë, kanë qenë të dobishme në shpjegimin e BPGj në Bosnje & Hercegovinë.
“Ne nuk mund të themi se egziston një mënyrë specifike për bërjen e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor,” the Ermira Lubani, nga UN Women. “Mvaret nga niveli i përkrahjes politike, akterët e përfshirë në proces, korniza ligjore dhe sistemi, që dallojnë në secilin vend dhe kontekst.”
Megjithatë, kishte pika të caktuara në të cilat u pajtuan pjesëmarrësit, siç janë përfitimet e BPGj: llogaridhënia, barazia, efikasiteti, efektiviteti dhe transparenca. Ata poashtu u pajtuan që koordinimi multi-sektorial në mes të qeverisë, parlamentit, shoqërisë civile, nivelit akademik dhe akterëve ndërkombëtar është i rëndësishëm sa i përket realizimit të iniciativave të qëndrueshme. Vullneti politik ka qenë veçanërisht i rëndësishëm.
Pjesëmarrësit kishin hasur sfida të ngjashme në vendet e tyre: legjislacion ende i paqartë sa i përket BPGj-së; institucionalizim i pamjaftueshëm i BPGj-së; mungesa e të dhënave primare të ndara sipas gjinisë; përkrahje e pamjaftueshme financiare shtetërore për mbledhjen e të dhënave; monitorim dhe vlerësim jo-adekuat, përfshirë edhe analizimin e ndikimit; koordinim i mangët i donatorëve; dhe mungesa e njohurive dhe kapaciteteve për implementimin e BPGj-së në mesin e shërbyesve civil.
Në mesin e nevojave të së ardhmes të identifikuara lidhur me institucionalizimin e BPGj-së në rajon hyjnë: ngritja e kapaciteteve për ekzekutivin, deputetët dhe organizatat e shoqërisë civile; të ketë fonde të mjaftueshme për organizatat e shoqërisë civile që të mund të kryejnë punën e tyre monitoruese dhe mbështetëse; dhe që korniza ligjore dhe udhëzuesit e ofruar nga ministritë e financave drejt institucionalizimit të BPGj të jenë më të qarta.
Punëtoria u organizua nga UN Women, me përkrahje të Austrian Development Agency dhe Swiss Development Cooperation.
Punëtoria u organizua nga UN Women, me përkrahje të Austrian Development Agency dhe Swiss Development Cooperation.