Kosova ishte në mesin e katër shteteve të zgjedhura ndërkombëtarisht për të ndarë përvojën lidhur me procesin e përgatitjes për Planin e Zbatimit në Nivel të Vendit (të njohur si CLIP në gjuhën angleze) për zbatimin e Planit për Veprim Gjinor III (PVGj).
Përgatitjet e Kosovës për këtë plan ishin veçanërisht konsultative për shkak që u udhëhoqën nga një organizatë për të drejtat e grave- Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Sot, më 25 nëntor, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK ishte pjesë e diskutimit “Zbatimi i PVGj III: Përqendrimi në nivel vendi një vit pas miratimit të tij”, të organizuar nga Forumi i Politikave mbi Zhvillimin.
Gjatë seancës plenare, Farnsworth vuri theksin te lidhshmëria ndërmjet konsultimeve dhe zbatimit të planit.
“Proceset konsultative që udhëhiqen nga akterët vendor dhe përfshijnë akterë të ndryshëm ndihmojnë në zbatimin e PVGj-së duke siguruar që akterët janë të vetëdijshëm për të e po ashtu edhe ndihen pjesë e procesit përgjatë hartimit të tij”, tha ajo.
Duke folur tutje për pikat e forta të Planit të Zbatimit në Nivel të Vendit dhe të këtij procesi, ajo shtoi se një pikë kyçe ishte “përpjekja e fortë për të lidhur atë me programet në të gjitha sektorët, përpjekje e bërë bashkë me menaxherët e Bashkimit Evropian. Ky plan i Kosovës është mjaft ambicioz pasiqë prek të gjitha fushat tematike të PVGJ II si dhe disa objektiva të secilës fushë tematike, duke përfshirë këtu gjithsej 34 objektiva të ndryshme të PVGj III.
Ajo gjithashtu përmendi edhe rëndësinë që ka përfshirja dhe njohja e ekspertizës së shoqërisë civile dhe aktivisteve e eksperteve për të drejtat e grave, duke përfshirë këtu kompensimin për kohën dhe ekspertizën e tyre.
Tutje, Farnsworth foli për punën e vazhdueshme në një aneks i cili përcakton programet specifike të cilat do të kontribuojnë në secilën objektivë, në mënyrë që raportimi mbi to të jetë më i lehtë e po ashtu të përfshijë informata shtesë nga shoqëria civile dhe akterët e tjerë. E gjithë kjo është e rëndësishme për koordinim, mirëpo nuk arrin të përfshihet brenda gjatësisë së lejuar të faqeve sipas këtij plani.
“Kjo është qasje e rëndësishme për të kontribuar në pronësinë dhe përfshirjen”, shtoi ajo.
Ndër të tjerash Farnsworth vuri në pah edhe kushtet e nevojshme për zbatimin e suksesshëm të këtij plani, ku përfshihen: Udhëheqësia e BE-së të jetë e përditësuar për zotimet si dhe bashkëpunimit aktiv me Qeverinë e Kosovës për të siguruar që objektivat e këtij plani përfshihen në programe të ndryshme. Po ashtu, duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës dizajnon programet e mbështetura nga BE-së, atëherë ata duhet të jenë pjesë në përfshirjen e perspektivës gjinore në programe, kjo në përputhje me Programin e Kosovës për Barazi Gjinore.
Kurse, përgjatë grupeve punuese, ajo përmendi një shembull të rëndësishëm lidhur me atë se si organizatat për të drejtat e grave si Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut dhe Sandglass kanë kontribuar për paqen në nivel lokal, gjë e cila është shumë e rëndësishme për ndërtimin e paqes dhe nisma të tilla do të duhej të mbështeteshin nga BE-ja, në përputhje me agjendën e BE-së për gratë, paqen dhe sigurinë. Po ashtu, u tha se BE-ja mund ta shfrytëzojë praninë e saj në procese të paqes sikurse është dialogu Kosovë-Serbi për t’u bërë presion qeverive për të siguruar përfshirjen e grave në procese të paqes.
“Për zbatimin e PVGj-së, organizata të ndryshme për të drejtat e grave duhet të përkrahen përmes modaliteteve të ndryshme të fondeve, duke përfshirë mbështetjen afatgjatë, institucionale dhe atë fleksibile, duke ditur se lëvizjet e grave janë në thelb të ndryshimit shoqëror”, tha ajo. BE-ja duhet të konsiderojë se cilat modalitete të mbështetjes përshtaten më së mirë në kontekste të ndryshme në mënyrë që të arrijnë sa më shumë grupe të ndryshme.
Ajo po ashtu theksoi se është e rëndësishme që Komisioni Evropian të dokumentojë më qartë shpenzimet për barazi gjinore duke kërkuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor për të gjitha programet, dhe jo vetëm për ato të cilat lidhen me reformën e financave publike, siç është tani rasti me PVGJ III. Kjo do të ishte shembull për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, barazinë, transparencën si dhe llogaridhënien.
PVGj III u miratua para një viti dhe RrGK do të vazhdojë të përkrahë zbatimin e tij në Kosovë në bashkëpunim të ngushtë me 181 organizatat e saj anëtare, Zyrën e BE-së, Përfaqësuesin Special të BE-së, EULEX-in, shtetet anëtare të BE-së si dhe palët e tjera të përfshira.