Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, e themeluar në kuadër të Zyrës së Presidentes së Kosovës, organizoi më 28 janar një punëtori me temën “Ndërtimi mbi Progresin: Ngritja e mëtejme e lidershipit të Kosovës në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.
Punëtoria u përqendrua në rëndësinë e Planeve Kombëtare të Veprimit (PKV) si një mekanizëm kyç për avancimin e barazisë gjinore, forcimin e paqes dhe sigurisë gjithëpërfshirëse. Eksperti ndërkombëtar Mirsad Jacevic ndau përvoja dhe mësime nga shtete që kanë zbatuar PKV-të, duke analizuar sukseset dhe sfidat e tyre.
Ai vlerësoi Kosovën për të qenë lidere globale në zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar rolin kyç të shoqërisë civile në shtyrjen përpara të kësaj agjende. Ai e theksoi poashtu rolin e drejtores ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, në mesin e aktivistëve të tjerë kosovarë, si anëtarja e Bordit të RrGK-së, Vjosa Dobruna, avokimi i së cilës në vitet ‘90 çoi në miratimin fillestar të Rezolutës 1325, ndërsa avokimi i vazhdueshëm ka kontribuuar në përparimin thelbësor drejt zbatimit të saj. Poashtu, ai foli për punën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e nominuar për Çmimin Nobel për Paqe dhe Medica Kosova, për punën e tyre me të mbijetuarat e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Mes tjerash, theksoi edhe rolin vendimtar të shoqërisë civile në vazhdimin e mbështetjes së zbatimit të agjendës dhe nevojën për më shumë pronësi dhe financim të Qeverisë së Kosovës në zbatimin e kësaj agjendeje.
Jacevic mbi të gjitha theksoi bashkëpunimin si faktor kyç për avancimin e agjendës.
Mes tjerash, u diskutua edhe për Rezolutën 2242 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Aty u tha se çdo shtet duhet të ketë një plan veprimi të dedikuar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, dhe po ashtu të ketë një buxhet të qartë për të.
Qeveria e Kosovës planifikon të përfshijë një plan veprimi specifik për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Programin e saj të ardhshëm të Kosovës për Barazi Gjinore, që planifikon të jetë në përputhje me ndërkombëtarët dhe praktikat më të mira për planet e veprimit.
Rrjeti i Grave të Kosovës mbështet fuqimisht punën e Qendrës Rajonale të Ekselencës dhe do të vazhdojë të mbështesë Agjencinë për Barazi Gjinore dhe po ashtu qeverisjen përmes angazhimeve aktive në Grupin Punues të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore bazuar në përvojën më shumë se 30 vjeçare.