“Aty i kem marrë hapat e parë. Aty e kemi ndërtu jetën për së dyti prej zeros. E kemi ditë që na nuk jemi kon fajtore për atë që ka ndodh.”
Për shumë gra që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përfundimi i konfliktit nuk nënkuptoi edhe fundin e vuajtjeve të tyre. Trauma e dhunës seksuale gjatë luftës vazhdon t’i prekë të mbijetuarat edhe shumë kohë pasi dhuna ka përfunduar, duke ndikuar në mirëqenien e tyre emocionale, marrëdhëniet shoqërore dhe sigurinë ekonomike. Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, shumë gra kanë dëshmuar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke rindërtuar jetët e tyre me guxim dhe vendosmëri. Gjatë këtij rrugëtimi, ato janë mbështetur nga organizata që për dekada kanë ofruar mbështetje psikosociale, avokim dhe mundësi për fuqizim.
Në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) vizitoi organizatat anëtare: Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG), Medica Kosova dhe Medica Gjakova, të cilat kanë punuar për shumë vite krah për krah me të mbijetuarat. Përmes përkushtimit dhe angazhimit të tyre, këto organizata vazhdojnë të krijojnë hapësira ku gratë mund të gjejnë mbështetje, të rifitojnë vetëbesimin dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjet e tyre.
Në Drenas, Laurita Morina, zyrtare e projekteve në RrGK u takua me Kadire Tahiraj, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e QPDG-së, si dhe me Anita Istogun, psikologe që punon nga afër me të mbijetuarat përmes organizatës. Për më shumë se dy dekada, QPDG ka ofruar mbështetje psikosociale, këshillim dhe mundësi fuqizimi për gratë e prekura nga dhuna seksuale e lidhur me konfliktin, duke i ndihmuar ato të përballen me sfidat e rimëkëmbjes dhe riintegrimit në shoqëri.
Sipas QPDG-së, puna e organizatës ka pasur ndikim pozitiv jo vetëm te të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe te shumë gra të tjera që kanë përfituar nga shërbimet e saj. Në vitet e para pas luftës, kjo temë mbetej shumë tabu dhe jeta e shumë grave ishte kryesisht e kufizuar brenda trekëndëshit familje, bashkëshort dhe mjek. Përmes projekteve të ndryshme, përfshirë ato të mbështetura nga RrGK, QPDG ka kontribuar në rritjen e vetëdijesimit, forcimin e fuqizimit ekonomik dhe përmirësimin e qasjes së grave në shërbime shëndetësore.
Një shembull është projekti për edukim shëndetësor, i cili u mundësoi grave, përfshirë ato që kishin humbur bashkëshortët gjatë luftës, të kenë qasje në shërbime gjinekologjike, siç janë Pap testet. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur qasja në këto shërbime ishte e kufizuar, sidomos për gratë e veja, të cilat shpesh përballeshin me stigmë dhe paragjykime kur kërkonin kujdes gjinekologjik pa praninë e bashkëshortit. Sot, sipas QPDG-së, shumë më tepër gra janë të vetëdijshme për të drejtat e tyre. Disa kanë siguruar punësim, të tjera janë fuqizuar ekonomikisht, ndërsa disa madje udhëheqin biznese apo iniciativa në komunitet.
RrGK gjithashtu vizitoi Medica Kosova dhe Medica Gjakova, dy organizata që kanë luajtur rol kyç në mbështetjen e të mbijetuarave përmes shërbimeve gjithëpërfshirëse, të bazuara në kuptimin se shërimi kërkon jo vetëm mbështetje emocionale, por edhe mundësi që gratë të rifitojnë pavarësinë dhe vetëbesimin.
Që nga viti 2003, Medica Kosova ka ofruar mbështetje psikosociale, ndihmë juridike, terapi arti dhe programe për fuqizim ekonomik për gratë, me fokus të veçantë te të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Me kalimin e viteve, organizata ka zgjeruar punën e saj duke përfshirë edhe mbështetjen për të mbijetuarat e dhunës në familje, ndihmën juridike falas për grupet e margjinalizuara dhe mbështetjen psikosociale për fëmijët e të mbijetuarave të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin.
Sipas Arbnore Bunjakut, juriste në Medica Kosova, shumë gra që fillimisht kishin ardhur në organizatë ishin të izoluara, u mungonte vetëbesimi dhe kishin humbur vullnetin për të jetuar. Sot, ato janë shndërruar në agjente të ndryshimit. Duke e tejkaluar izolimin, ndjenjën e fajit dhe mungesën e besimit në vete, ato jo vetëm që janë fuqizuar vetë, por kanë vazhduar të mbështesin edhe të mbijetuara të tjera.
“Një e mbijetuar gjithmonë na thotë: ‘Ju nuk ndërtoni shtëpi, por na keni ndërtuar shpirtrat’,” tha Arbnore Bunjaku, avokate në Medica Kosova.
Medica Gjakova punon për përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës përmes mbështetjes multidisiplinare, e cila përfshin shërbime psikosociale, gjinekologjike dhe juridike, si dhe iniciativa për fuqizim ekonomik. Përveç kësaj, organizata angazhohet në avokim dhe lobim, si dhe punon për forcimin e kapaciteteve institucionale për qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe vetëkujdesit, duke siguruar që të mbijetuarat të kenë qasje më të lehtë dhe më dinjitoze në shërbime, veçanërisht brenda institucioneve shëndetësore dhe qendrave për mirëqenie sociale.
“Për publikun dhe shoqërinë kosovare, do të bëja thirrje që të mos i stigmatizojnë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, por t’i përkrahin. Ato janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe secilit prej nesh mund t’i kishte ndodhur ajo që u ka ndodhur atyre. Mos i gjykoni, mos i stigmatizoni, vetëm përkrahni ato,” tha Mirlinda Sada, Drejtoreshë Ekzekutive e Medica Gjakova.
Shikoni intervistën e plotë me QPDG këtu.
Shikoni intervistën e plotë me Medica Kosova këtu.
Shikoni intervistën e plotë me Medica Gjakova këtu.
Gjatë këtyre vizitave, RrGK pati gjithashtu privilegjin të takohej me të mbijetuara, të cilat me bujari ndanë përvojat e tyre. Rrëfimet e tyre pasqyrojnë forcën, këmbënguljen dhe guximin e mijëra grave në mbarë Kosovën.
Lexoni rrëfimin e të mbijetuarës A.M. këtu.
Lexoni rrëfimin e të mbijetuarës D.K. këtu.
Rrëfimet e ndara nga të mbijetuarat dhe organizatat që qëndrojnë pranë tyre nxjerrin në pah një realitet të rëndësishëm: rimëkëmbja nuk është një destinacion, por një rrugëtim i vazhdueshëm. Të mbijetuarat vazhdojnë të përballen me stigmë shoqërore, sfida ekonomike dhe pasojat afatgjata të traumës. Megjithatë, përmes qasjes në shërbime cilësore, mundësive për fuqizim dhe komuniteteve që besojnë në to dhe i mbështesin, shërimi dhe rimëkëmbja bëhen të mundshme.
Ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, nderojmë guximin dhe qëndrueshmërinë e të mbijetuarave. Në të njëjtën kohë, vlerësojmë punën e paçmuar të organizatave si QPDG, Medica Kosova dhe Medica Gjakova, përkushtimi i të cilave vazhdon të sjellë ndryshim domethënës në jetën e grave në mbarë vendin.
Nëse ju ose dikush që njihni është e mbijetuar apo i mbijetuar i dhunës seksuale ka nevojë për mbështetje, ju lutemi kontaktoni Rrjetin e Grave të Kosovës për informata, referim dhe ndihmë.