“Na jem kon sikur midis terri, e na kanë qit midis dritës. Për neve u kon terr, dritën e kena gjet në shoqatën tonë.”
Kanë kaluar disa vite që kur A.M., e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, hyri për herë të parë në dyert e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas. Për të, organizata u bë më shumë se një vend mbështetjeje. Ajo u bë një hapësirë e sigurt ku mund të fillonte shërimin, të rindërtonte vetëbesimin dhe të rifitonte kontrollin mbi të ardhmen e saj.
QPDG mbështet të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës përmes ndihmës juridike, mbështetjes psikosociale dhe terapisë së artit, si dhe programeve për fuqizim ekonomik. Një nga anëtaret e saj është A.M., e cila, gjatë një vizite nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), me bujari ndau përvojën e saj të rimëkëmbjes, qëndrueshmërisë dhe rindërtimit të një jete të formësuar nga trauma e luftës.
Për A.M., rrugëtimi drejt mbështetjes nuk ishte i lehtë. Duke ardhur nga një fshat i largët, në një kohë kur gratë gjykoheshin për çdo hap që bënin jashtë shtëpisë, vendimi për të kërkuar ndihmë ishte i mbushur me frikë, pasiguri dhe turp të imponuar nga shoqëria.
“Kur e kom marrë vendimin me ardhë, u kon goxha trishtuese. Kur kom hi mrena e kom nis me fol, më kanë thanë: mos e streso veten, je sikur te nana jote.”
Në QPDG, ajo gjeti, për herë të parë, një vend ku nuk gjykohej, por dëgjohej. Fillimisht, ajo dhe shumë gra të tjera kishin nevojë për mbështetje psikologjike, sepse, siç kujton ajo, ishin të lodhura dhe të mbingarkuara nga stresi. Me kalimin e kohës, përmes këshillimit, aktiviteteve në grup dhe miqësive me gra që kishin përjetuar dhimbje të ngjashme, ajo filloi të shërohej dhe të ndihej më e lirë.
“Na ktu si t’vijna, veten e nijna sikur te nana kur mbledhen bijat. Vijna e kajna dertin; kem a s’kem, krejt i thojna.”
Mbështetja e ofruar për A.M. shumë shpejt u shtri përtej rimëkëmbjes emocionale. Përmes një skeme grantesh të zbatuar nga UN Women dhe RrGK, A.M. mori një lopë, e cila u bë burim i rëndësishëm të ardhurash për familjen e saj.
“Prej asaj lope i pata bo pesë. Shitsha tomel, i shkollojsha fëmijët, ju blejsha sene qka kishin nevojë. Burri pa punë e unë pa punë, me qata u mirrsha mas shumti.”
Përvoja e A.M.-së tregon se si edhe iniciativat modeste për fuqizim ekonomik mund të krijojnë ndryshim të qëndrueshëm, duke u ndihmuar grave të sigurojnë të ardhura, të mbështesin familjet e tyre dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt.
Sot, jeta e A.M.-së është shumë ndryshe. Fëmijët e saj kanë përfunduar shkollimin, kanë diplomuar në universitet dhe janë të punësuar. Për të, kjo është arritja më e madhe.
“Kur e sheh që familja t’ec përpara, ti veten kaniher e harron.”
Duke e kujtuar rrugëtimin e saj, A.M. e përshkruan QPDG-në si vendin ku gratë gjetën dritë gjatë njërës prej periudhave më të errëta të jetës së tyre.
“Na jem kon sikur midis terri, e na kanë qit midis dritës. Për neve u kon terr, dritën e kena gjet në shoqatën tonë.”
Mesazhi i saj për gratë e tjera është mesazh solidariteti dhe mbështetjeje:
“Ju lutna gjitha nanave që me u lajmru nëpër organizata dhe me kërku ndihmë. Shoqja le ta përkrah shoqen, se ti po ja qel rrugën shoqes edhe po e drejton ka duhet me shku.”
Në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, rrëfimi i A.M.-së na kujton se, ndonëse ndikimi i dhunës seksuale gjatë luftës mund të zgjasë gjatë gjithë jetës, po aq gjatë mund të zgjasin edhe forca, dinjiteti dhe qëndrueshmëria e atyre që i mbijetojnë asaj.
Inicialet e të mbijetuarës së përfshirë në këtë rrëfim janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj.
Nëse ju ose dikush që njihni është e mbijetuar apo i mbijetuar i dhunës seksuale dhe ka nevojë për mbështetje, ju lutemi kontaktoni Rrjetin e Grave të Kosovës për informata, referim dhe ndihmë.