Më 25 prill 2026, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mblodhi anëtaret, partnerët, Bordin dhe stafin për Kuvendin e 23-të Vjetor të Anëtareve. Më shumë sesa një takim formal, ky aktivitet shërbeu si një moment për të reflektuar mbi arritjet e vitit të kaluar, për të përcaktuar prioritetet për vitin në vijim dhe për të nderuar ata që i kanë dedikuar punën e tyre avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë dhe më gjerë.
Anëtarja e Bordit të RrGK-së, Gjylieta Mushkolaj, hapi Kuvendin duke reflektuar mbi rolin thelbësor që gratë vazhdojnë të luajnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe demokratike, duke pranuar gjithashtu sfidat e vazhdueshme që mbeten.
“Përkundër përparimeve të arritura, ky takim është një mundësi për të reflektuar dhe për të forcuar angazhimin tonë që gratë të trajtohen si të barabarta. Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një sfidë serioze, por aktivizmi i grave ka sjellë ndryshime konkrete dhe arritje të rëndësishme në jetën publike, politike dhe institucionale”, tha ajo. “Dinjiteti i grave nuk është çështje e politikave partiake, por themeli i një shteti demokratik. Prandaj, duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme ku vajzat dhe gratë jetojnë të lira, të sigurta dhe të barabarta.”
Albulena Haxhiu, Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryetare e Kuvendit të Kosovës, theksoi kontributin e gjatë të aktivizmit të grave dhe rolin e RrGK-së në formësimin e zhvillimit demokratik të Kosovës. “Rrjeti është një shembull i qartë i forcës së barazisë, mbrojtjes nga dhuna dhe fuqizimit të grave në vendimmarrje. RrGK ka sjellë dije, ka dëshmuar se demokracia forcohet jo vetëm nga institucionet, por edhe nga shoqëria civile, dhe ka qenë një partner serioz i institucioneve, një zë i fuqishëm kundër padrejtësisë dhe një forcë aktive për ndryshim që krijon hapësira të sigurta për gratë.”
Nancy Soderberg, Drejtoreshë e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, theksoi më tej rolin e pazëvendësueshëm të organizatave të shoqërisë civile të grave në forcimin e demokracisë, drejtësisë dhe barazisë. “Është thelbësore të kuptojmë se përparimi nuk arrihet vetëm brenda institucioneve, por edhe përmes angazhimit të përditshëm me qytetarët, komunat dhe realitetet lokale”, tha ajo. “Partneriteti ynë me Rrjetin e Grave të Kosovës është i rëndësishëm pikërisht sepse lidh përpjekjet në nivel kombëtar me realitetet në terren. Në një kohë kur, në shumë vende, po shohim reagime kundër barazisë gjinore, dezinformim dhe sulme të targetuara ndaj grave në politikë dhe role publike, puna e RrGK-së është edhe më kritike. Duke kombinuar angazhimin në komunitet me hulumtimin dhe analizën e politikave, RrGK siguron që zërat e grave jo vetëm të dëgjohen, por edhe të përkthehen në propozime konkrete të politikave.”
Reyes Charle Cuellar, Këshilltare për Çështje Gjinore, Zyrja e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (PSBE) në Kosovë, e përforcoi këtë mesazh duke theksuar se progresi i mirëfilltë varet nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile. “BE-ja dhe RrGK kanë qenë partnerë; kjo ka qenë një marrëdhënie e ndërtuar mbi dialog dhe besim. Aftësia juaj për të përfaqësuar gra të ndryshme është një përgjegjësi që ju e merrni seriozisht. Ekspertiza juaj, ofrimi i shërbimeve dhe monitorimi i shërbimeve publike, politikave publike dhe performancës institucionale mbeten të domosdoshme. Po ashtu, monitorimi juaj krahas projekteve tona si përfaqësues të BE-së në Kosovë, në shumë raste, na ka hapur sytë dhe na ka ndihmuar në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave.” Ajo vazhdoi duke theksuar se “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, fuqizimin ekonomik të grave dhe forcimin e mekanizmave socialë për barazi gjinore, duke mbetur një partner i përkushtuar në këtë rrugëtim të përbashkët.”
Në fund, Saxhide Mustafa, Koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave dhe Zëvendësdrejtoreshë Ekzekutive e Institutit Riinvest, theksoi rëndësinë e zgjerimit të aleancave për barazi gjinore. “Zëri juaj, Igo, është dëgjuar edhe në zonat më të thella të vendit, duke dëshmuar se kemi ende shumë punë për të bërë. Për këtë, duhet të vazhdojmë të krijojmë iniciativa të përbashkëta për një shoqëri më të barabartë. Na duhet një aleancë më e gjerë me gra dhe burra, përfshirë deputetë dhe vendimmarrës, sepse çështjet e grave nuk duhet t’i luftojnë vetëm gratë.”
Pas fjalimeve hyrëse, anëtarja e Bordit të RrGK-së, Xhejrane Lokaj, prezantoi çmimin vjetor “Sevdije Ahmeti”, një shenjë solidariteti, mbështetjeje dhe vlerësimi për kontributet në lëvizjen për të drejtat e grave. Këtë vit, çmimi iu nda Flora Brovinës, e cila për dekada ka mbështetur gratë dhe fëmijët dhe ka kontribuar në forcimin e shoqërisë civile dhe avancimin e barazisë gjinore, përfshirë edhe gjatë kohës së saj si deputete.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj, Flora u shpreh: “Zëri i grave nuk ka qenë gjithmonë i dëgjuar – nga patriarkati deri te momenti kur përfaqësimi u sigurua përmes kuotave, e deri sot, kur gjithnjë e më shumë gra po hyjnë në vendimmarrje me meritë të plotë. Por rruga ende nuk ka përfunduar.”
Ceremonia vazhdoi me një poezi të fuqishme të interpretuar nga aktorja dhe aktivistja për të drejtat e grave, Safete Rogova, e ndjekur nga një homazh personal nga motra e Sevdije Ahmetit, Hikmete Xharra, e cila shprehu mirënjohje ndaj RrGK-së për ruajtjen e trashëgimisë së Sevdijes përmes këtij çmimi: “Ka vajza dhe gra që ndoshta nuk e kanë njohur Sevdijen, prandaj dua të them disa fjalë për të… Që e vogël, ajo ka kundërshtuar padrejtësisë. Edhe pse babai ynë ka qenë pak autoritativ, ajo gjithmonë pyeste ‘Pse, vetëm pse jemi gra?’. Për Sevdijen nuk ka pasur vend për ndarje apo diskriminim.”
Më pas, stafi i RrGK-së prezantoi arritjet kryesore të Rrjetit për vitin 2025, planin e punës për vitin 2026, si dhe rregulloren e Bordit të RrGK. Kuvendi përfshiu gjithashtu zgjedhjen e Bordit të ri të RrGK-së, i cili do të vazhdojë të mbikëqyrë dhe udhëheqë përpjekjet e rrjetit gjatë vitit në vijim. Meqë nuk kishte kuorum, procesi i votimit të anëtareve të Bordit u vendos të vazhdojë online.
Në frymën e solidaritetit dhe reflektimit të përbashkët, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, vazhdoi me theksimin e rëndësisë së qëndrimit së bashku dhe mbështetjes së ndërsjellë, duke u dhënë hapësirë anëtareve dhe partnerëve për të ndarë përvoja, sfida dhe rrugën përpara për të ardhmen. Si rrjedhojë, ajo ndau me të pranishmit gjithashtu shumën simbolike të fondeve të mbledhura gjatë Kuvendit, në mbështetje të organizatës “Dëgjo Zërin Tim”.
“RrGK gjithmonë ka qenë pranë nesh me mbështetje, duke u munduar të na ndihmojë në çdo mundësi, edhe atëherë kur mundësitë kanë qenë të kufizuara, veçanërisht neve, personave me aftësi të kufizuara”, tha Resmije Rrahmani (Biba), Koordinatore e Organizatës së Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK). Ajo vazhdoi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës: “Vetëm së bashku mund t’i realizojmë qëllimet tona të përbashkëta, të cilat janë në të mirë të të gjitha grave, sidomos grave që përjetojnë dhunë dhe grave me aftësi të kufizuara.”
Vlora Nushi, Shefe e Zyrës në UN Women Kosovo, reflektoi mbi kontekstin global dhe sfidat në rritje me të cilat përballen organizatat e grave. “Meqenëse të gjithë jemi duke u angazhuar dhe duke u përballur me një sfidë globale, ku rrymat destruktive po marrin gjithnjë e më shumë fuqi, mbështetja për organizatat e grave mbetet më e rëndësishme se kurrë. Në nivel global, po avokohet për fuqizimin e organizatave të grave dhe për ndarjen e fondeve të qëndrueshme për punën e tyre.”, tha ajo. “Dua t’i përshëndes organizatat e grave dhe t’ju siguroj se do të vazhdojmë punën dhe përkushtimin tonë të njëjtë, duke u siguruar që në çdo takim, organizatat e grave të jenë në qendër të vëmendjes. Ju premtoj se do të jemi bashkë me ju.”
Ganimete Sava, Drejtoreshë Ekzekutive në Art Without Limit, ndau një moment të veçantë nga rrugëtimi 10-vjeçar i organizatës, duke falënderuar RrGK-në për mbështetjen në një moment vendimtar: “Kur e themeluam festivalin dhe dëshironim ta sillnim në skenë, kërkuam mbështetje, por nuk kishim fonde. Pikërisht atëherë erdhi mbështetja e Rrjetit të Grave të Kosovës, granti i parë që na u dha, dhe ne i thamë ‘po’ punës dhe ëndrrës sonë.” Duke mbajtur një trofe xhami të gdhendur, ajo vazhdoi: “Sot, pas 10 vitesh punë, po shënojmë edicionin e parë të festivalit në Vjenë dhe edicionin e shtatë në Prishtinë. Jemi përjetësisht mirënjohëse dhe këtë trofe ia dedikojmë Rrjetit, si falënderim për dorën e parë që na zgjati në rrugëtimin tonë.”
Këto reflektime dëshmuan edhe një herë rëndësinë e solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët për të çuar përpara të drejtat e grave në Kosovë.
