Me 19 dhjetor 2015, RrGGK, mbajti Kuvendin Vjetor të 13-të të Anëtareve të RrGGK. Ky Kuvend, si çdo vit, u hap me një pikë artistike nga Kori i Grave “Lira”. Më pas, jashtë agjendës, zuri vend një performacë e interpretuar nga aktorja Molikë Maxhuni me tekstin e adoptuar nga aktorja e mirëjohur zn. Safete Rogova, e cila ishte përgatitur si surprizë simbolike për të uruar 15 vjetorin e Rrjetit.
Fjalën hyrëse të Kuvendit e bëri zn. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK-së.
“Është Kuvendi i 13-të, por datëlindja e 15-të e Rrjetit, sepse Rrjeti u themelua në vitin 2000 dhe në tre vitet e para të punës së vet, funksionoi me vet-financim."
Më tutje, zn. Rogova, në mungesë të Kryetares së Bordit të RrGGK, zn. Ariana Qosaj Mustafa, lexoi letrën e shkruan nga Zn. Qosaj Mustafa. “Si një grup i ndryshueshëm por edhe në nevojë, që të përfaqësohet në proceset e ndryshme vendimmarrëse, besoj se Rrjeti ia ka dalë denjësisht edhe këtë vit të jetë pranë grave dhe vajzave dhe të i transmetojë këto nevoja më së miri. Me transparencë, llogaridhënie dhe debat të vazhdueshëm, Rrjeti mbetet një zë i denjë i nevojave të grave dhe vajzave dhe grupeve tjera më të ndjeshme, përfshirë këtu edhe komunitetin jo-shumicë,” kishte shkruan ndër të tjera ajo.
Më pas, me një fjalë përshëndetëse, Kuvendin e nderoi Shkëlqësia e saj, zn. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës.
“Gratë e Kosovës kanë qenë ato të cilat kanë mbajtur mbi supet e tyre peshën e rëndë të mbijetesës, të rezistencës paqësore, të luftës dhe pa dyshim që ndërtimi i paqes nuk mund të arrihej pa to. Sot Kosova është shtet demokratik dhe i pavarur fal kontributit të pamohueshëm të grave dhe burrave të këtij vendit,” u shpreh Presidentja Jahjaga. “Unë te ju, të dashura mike, shoh gra shumë të fuqishme të cilat çdo ditë me përkushtimin e tyre garantojnë një të ardhme më të ndritur për gjeneratat e reja. Ju jeni shembulli më i mirë për rininë tonë se me punë, me besim dhe me përkushtim, tejkalohen të gjitha barrierat. Rrejti i Grupeve të Grave të Kosovës gëzon mbështetjen e plotë të Zyrës time, njëlloj sikurse Zyra ime ka pasur mbështetjen tuaj në realizimin e projekteve dhe ideve të shumta të cilat kanë ndarë synimin tonë të përbashkët për avancimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë.” Fjalimin e plotë të Presidentes për këtë rast, mund ta gjeni
këtu.
Rrjeti në punën e vet gjatë vitit 2015, ka pasur përkrahjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të Austrian Development Agency, MOTT Foundation, të GIZ, Ambasadës së Holandës, East West Management Institute, të National Endovement for Democracy, Zyrës së Presidentes, të Heart and Hand Foundation, të organizatës suedeze Kvinna till Kvinna, dhe të anëtarëve individual të Rrjetit.
Përfaqësuesit e disa prej organizatave përkrahëse të Rrjetit i kemi me ne sot. Prandaj, fjalën e mori, z. Libor Chlad, Zv. Shef i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Është kënaqësi për mua të marrë pjesë në Kuvendin e RrGGK-së dhe njëkohësisht dua të shprehë urimet e mija për punën e mrekullueshme që kanë bërë për të luftuar për të drejtat e vajzave dhe grave të Kosovës,” u shpreh z. Chlad. Duke vazhduar fjalimin e tij me kontributin që ka dhënë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në mbështetje të të drejtave të grave, vetëdijësimin mbi barazinë gjinore, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe vetëpunësimit të grave, ai shtoi se “dua të theksoj që RrGGK dhe organizatat e tjera civile, që kanë luftuar për barazinë gjinore, për punën e mrekullueshme që kanë bërë, mund të ju siguroj se BE-ja, e përfaqësuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, do të vazhdoj të mbështes përpjekjet tuaja.”
Në vazhdim, Arsim Aziri,Menaxher i Programit & Shef i Administratës në Austrian Development Agency (ADA) në Kosovë, foli për mënyrën se si filloi dhe rrodhi bashkëpunimi me RrGGK-në ndër vite duke premtuar bashkëpunim të mëtutjeshëm për rritjen dhe forcimin e pozitës së gruas në Kosovë.
Më tutje, fjalën e mori zn. Yllka Soba, Zyrtare e Programit në Kosovë të organizatës suedese Kvinna till Kvinna.
“E kemi nderin të jemi përkrahësit e kësaj organizate, duke e pasur parasyshë punën jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë bërë gjatë këtyre viteve në avancimin e të drejtave të grave dhe të vajzave në Kosovë”. Ajo ndau me të pranishmit edhe një tregim inspirues që i kishte ndodhur gjatë këtij viti, në një takim rajonal të organizuar me Rjetin. Gjatë pauzës, një vajzë e vogël që u erdhi në vizitë, nëna e së cilës (Zana Hoxha Krasniqi) në atë trajnim ishte në rolin e trajnueses, e pyetur se “çka dëshiron të bëhesh kur të rritesh, a dëshiron edhe ti të bëhesh si mami trajnere?”, u përgjigj: “Jo, unë do të bëhem Presidente!” Me këtë storie, zn. Soba donte të theksonte rolin motivues që luante fakti që Kosova kishte një presidente grua.
Raporti mbi punën e RrGGK-së gjatë vitit 2015, u bë edhe nga pjesëtaret tjera të stafit, me ç’rast secila foli për pjesën në të cilën ka qenë e angazhuar gjatë këtij viti.
Mimoza Paquku, Menaxhere për Fondin e Grave të Kosovës, ndau me të pranishmet informatat lidhur me Fondin, me ç’rast tregoi se “Këtë vit, përmes Fondit të Grave të Kosovës, RrGGK ndau 20 grante, prej tyre, nëntë Grante në Partneritet për Ndryshim (deri më 8,000 €) iu ndanë 18 organizatave që punuan në partneritet dhe 11 Grante Avokimi Individual (deri në 3,000 €) iu ndanë organizatave individualisht. Grantet në Partneritet për Ndryshim kanë rritur bashkëpunimin në mes të organizatave anëtare, duke iu mundësuar organizatave nga rajone të ndryshme të Kosovës t’i bashkojnë forcat dhe të përforcojnë iniciativat e tyre duke avokuar së bashku.” Për informata më të hollësishme rreth Fondit, ju lutemi, klikoni
këtu.
Donjeta Morina, Koordinatore për Zhvillim të Kapaciteteve, theksoi se “Në vitin 2015, RrGGK ka qenë dëshmitare e disa momenteve shumë të rëndësishme dhe sukseseve sa i përket BPGJ-së. Si rrjedhojë e avokimit dhe monitorimit të RrGGK-së, këtë vit, në politika dhe dokumente kanë ndodhur ndryshimet në vijim:
- Ministria e Financave ka përfshirë referenca, paragrafe dhe tabela specifike në Qarkoren e saj Buxhetore 2016/2 për organizatat Qendrore të buxhetit. Organizatat Qendrore të Buxhetit janë inkurajuar që të përfshijnë BPGJ-në në dokumentet e tyre buxhetore.
- Ministria e Financave në mënyrë të njëjtë ka përfshirë referenca, paragrafe dhe tabela specifike në Qarkoren e saj Buxhetore 2016/02 për organizatat Lokale të buxhetit.
- Komuna e Kamenicës ka integruar BPGJ-në në Kornizën Afatmesme Buxhetore të saj, dhe ka dokumentin më të përgjegjshëm gjinor në mesin e të gjitha komunave në Republikën e Kosovës.
- Që nga muaji korrik i vitit 2015, BPGJ-ja është një obligim ligjor, pasi që avokimi i RrGGK-së ka kontribuar që ajo të bëhet pjesë e Ligjit të Ri për Barazi Gjinore 05/L-020.
- Komuna e Kamenicës e ka integruar BPGJ-në në dokumentin e buxhetit vjetor të saj për vitin 2016, duke u bërë kështu njëra ndër komunat e para në Kosovë që i ka përfshirë të dhënat e ndara sipas gjinisë si shtojcë në buxhetin e saj vjetor.
- Komuna e Gjakovës e ka integruar BPGJ-në në dokumentin e buxhetit vjetor të saj për vitin 2016, duke u bërë kështu njëra ndër komunat e para në Kosovë që i ka përfshirë të dhënat e ndara sipas gjinisë si shtojcë në buxhetin e saj vjetor.
- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka përfshirë të dhënat e ndara sipas gjinisë në buxhetin vjetor të saj, të cilin ia ka dërguar Ministrisë së Financave.
RrGGK poashtu ka publikuar raportin hulumtues Buxhetimi drejt Mirëqenies Sociale mbi përgjegjësinë gjinore të shërbimeve dhe shpenzimeve të MPMS-së në dy kategori ekonomike: paga dhe mëditje, dhe subvencione dhe transfere. Raporti përfshinë disa rekomandime që kanë për synim të përkrahin MPMS-në në planifikimin e shpenzimeve afat-mesme në një mënyrë më të ndjeshme me përspektivë gjinore. Për të lexuar raportin e plotë, klikoni
këtu.
Në vitin 2015, RrGGK ka vënë rekord sa i përket numrit të proceseve politike dhe politikave në të cilat RrGGK ka avokuar për prioritetet e grave. RrGGK ka marrë pjesë në një numër të grupeve punuese qeveritare dhe/ose ka ofruar komente në ligjet dhe politikat që do të ndikojnë në jetët e grave dhe vajzave. RrGGK ka përkrahur përfshirjen e përspektives gjinore, duke analizuar draftet e rreth 30 politikave publike (ligjeve, udhëzimeve administrative, strategjive, planeve të veprimit) nga një përspektivë gjinore dhe duke vlerësuar ndikimin potencial që ato mund të kenë në burra, gra, vajza dhe djem.”
Elizabeta Murati, Asistente e Projektit informoi të pranishmit se “RrGGK ka bashkëpunuar me Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Agjencinë për Barazi Gjinore, dhe Programin për Reformë Ligjore të GIZ-it për të organizuar takime me gra dhe burra nga sfera politke në shtatë komuna (Gjakovë, Skënderaj, Drenas, Deçan, Pejë, Rahovec dhe Mamushë). RrGGK prezantoi shkurtë kornizën e re ligjore për barazi gjinore dhe diskutoi sfidat me të cilat zyrtarët janë përballur gjatë zbatimit të kornizës ligjore deri më sot, drejt zgjidhjes së problemeve dhe adresimit të tyre. Shembuj nga këto përvoja (si dhe nga komuna e ministri të tjera) do të përdoren për të nxjerrë informata për raste studimore dhe për të dizajnuar kurrikulën e re të IKAP-it për barazi gjinore, në vitin 2016. Kurrikula e re e IKAP-it për shërbyesit civil, respektivisht për zyrtarët për barazi gjinore, do të përmirësojë kapacitetet e grave dhe të burrave, lidhur me atë se si të marrin parasysh prioritetet e grave në të ardhmen.”
Adelina Berisha, Asitente e Hulumtimit, njoftoi të pranishmet lidhur me përmbajtjen e njërit ndër raportet më të reja hulumtuese të RrGGK të publikuar së fundi, mbi dhunën në familjë: “Mjaft më me arsyetime – Një analizë e qëndrimeve, incidencës dhe përgjigjes institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë”, verzionin e plotë të të cilit mund ta lexoni
këtu. Ajo poashtu informoi të pranishmis se në vitin 2015, RrGGK ka kryer hulumtimin e parë në mbarë Kosovën për format e ndryshme të ngacmimeve seksuale në lokacione të ndryshme për të identifikuar incidencën, si dhe vetëdijesimin dhe qëndrimet e qytetarëve ndaj ngacmimit seksual. Kjo përfshiu anketimin e 1,315 grave dhe burrave, si dhe intervistat me përfaqësuesit e rreth 200 institucioneve. RrGGK po finalizon raportin, i cili do të publikohet në fillim të vitit 2016. Ai do të shërbejë si bazë për një fushatë vetëdijësuese për këtë temë.
Gresa Rrahmani, Asistente e Hulumtimit, i njoftoi të pranishmit se “Bazuar në një kërkesë zyrtare nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Arban Abrashi, për dhënien e rekomandimeve për Ligjin e ri të Punës dhe në besimin tonë që një ligj i rëndësishëm si ky duhet të bazohet në fakte, RrGGK ka kryer hulumtim me qëllim që të informojë Ligjin e ri të Punës me të dhëna të bazuara në fakte, lidhur me temat që përfshijnë diskriminimin gjinor në punë, veçanërisht lidhur me pushimin e lehonisë dhe të atësisë. RrGGK ka kryer 400 intervista me një mostër të rastësishme të punëdhënësve. RrGGK poashtu ka anketuar 1,301 gra dhe 374 burra. RrGGK nuk ka gjetë fonde për këtë iniciativë dhe është varur nga kontributet e qytetarëve dhe në vullnetarizëm për të kryer këtë hulumtim të rëndësishëm. Shumica e punës është kryer falë punës shtesë jashtë orarit të pjesëtareve të stafit të RrGGK-së dhe falë vullnetarëve e praktikanteve tanë të palodhshëm. RrGGK prezantoi të gjeturat fillestare të këtij hulumtimi së bashku me rekomandimet kryesore pranë Këshillit Ekonomik-Social të Kosovës (KES) dhe së shpejti do t’ia dërgojë Ministrisë me shkrim rekomandimet e politikave. RrGGK planifikon t’i publikojë rekomandimet dhe t’i vërë ato në dispozicion për publikun në fillim të vitit 2016.”
Pas raportimit nga pjesëtaret e stafit të RrGGK-së, radha i erdhi prerjes së tortës, e cila ishte menduar si simbolikë për të shënuar kështu 15 vjetorin e themelimit të RrGGK-së.
Më tutje, të pranishmëve iu ofrua mundësia për diskutim të hapur rreth Raportit Vjetor të Rrjetit, si dhe për shkëmbim të informatave në mes të anëtareve dhe partnerëve të Rrjetit, me ç’rast u ndanë edhe informata nga organizatat anëtare.
Ky takim u mbështet financiarisht nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.