Frida* ishte vetëm 17 vjeçe kur familja e detyruan të martohej me një burrë 40 vjeçar. Prindërit ia kishin bërë të qartë se ajo është vajzë dhe duhej t’u bindej atyre.
Ajo kishte takuar vetëm pesë herë bashkëshortin e saj, para se të martohej me të.
Dhuna filloi që javën e parë kur ata nisën të bashkëjetojnë. Shumë shpejt, Frida mësoi se ai ishte abuzues i alkoolit dhe substancave narkotike. Me shpresën se do të përmirësohet, ajo për 10 vjet duroi abuzimin.
Frida punoi në një fabrikë prodhimi këpucësh në Tiranë, Shqipëri, si dhe gjatë viteve të fundit u përball me shumë vështirësi.
Gjatë një incidenti të dhunshëm, burri i saj ia theu krahun dhe Frida nuk nuk mund të punonte më.
Megjithëkëtë, punëdhënësi nuk lejoi Fridën të merrte pushim mjekësor e as nuk e paguante më.
Frida, tashmë e papunë, u përball me vështirësi ekonomike, veçanërisht pasi ende duhej të kujdesej për tre fëmijët e saj. Madje, pasi u largua nga puna, burri i saj abuziv u frustrua edhe më tepër. Pasi që ai e qëlloi Fridën me thikë, fqinjët thirrën policinë dhe e arrestuan menjëherë.
Pas këtyre incidenteve, Frida nuk dinte se ku të kërkonte ndihmë ose ku të raportonte shkeljet e të drejtave të punës.
Një ditë, teksa po dëgjonte radio, ajo mësoi për Linjën e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat (LKGV) dhe thirri në numrin e tyre pa pagesë: 116117.
Një nga këshilltarët i dha mbështetje dhe mentorim falas e këshillim psikologjik për mundësitë e punësimit. Me lejen e saj, këshilltarët e referuan Fridën në Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim, e cila e mbështeti atë në raportimin e shkeljeve të të drejtave në punë.
Frida gjithashtu ndoqi trajnimet që ofron LKGV rreth kornizës ligjore në Shqipëri, e cila mbron të drejtat e punës së grave, si dhe institucionet ku mund të raportohet diskriminimi me bazë gjinore në punësim.
“Në këto trajnime, unë kisha mundësinë të takoja gra të ndryshme me të cilat kisha shumë të përbashkëta,” kujton Frida.
“Të gjitha ishim të mbijetuara të dhunës në familje, të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, kishim përjetuar diskriminim dhe trajtim të padrejtë në vendin e punës. Ndihem sikur punëdhënësit e dinë kur gratë janë të prekshme dhe të painformuara, dhe ata përfitojnë nga kjo. Punëdhënësit nuk respektojnë legjislacionin, dhe trajtojnë padrejtësisht punëtoret. Sidoqoftë, pasi ndoqa këto trajnime, ndihem më e fortë dhe shumë më e sigurt, sepse tani unë di si t’i përgjigjem padrejtësisë, si dhe kë të kontaktoj për ndihmë. Tani e di se çfarë është e ligjshme e çka jo, cilat janë të drejtat e mia si punëtore, dhe ku mund të raportoj diskriminimin”.
Me ndihmën e këshilltarëve të LKGV, Frida ka gjetur punë si rrobaqepëse në një dyqan të vogël. Ajo gjithashtu filloi të marrë pjesë në një kurs gatimi të ofruar falas nga shteti për viktimat e dhunës në familje. Ajo ende takohet rregullisht me Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim për të mësuar më shumë rreth të drejtave të saj në lidhje me punën, pushimin mjekësor dhe pagën.
“Ende nuk është e lehtë për të, e as për gratë e tjera që kanë ndjekur trajnimet dhe shërbimet tona,” thotë një nga këshilltarët e LKGV.
“Sidoqoftë, informimi dhe mbështetja i ka fuqizuar ato. E ardhmja e tyre duket më e ndritur”.
Kjo është historia e një gruaje, viktimë e dhunës në familje, e cila mori mbështetje nga LKGV.
Kujtojmë se vetëm në vitin 2020, LKGV pranoi 6,000 telefonata nga gra dhe vajza në lidhje me diskriminimin në vendin e punës, duke i ndihmuar ato të njohin të drejtat e tyre dhe të kërkonin drejtësi.
Kjo nismë është pjesë e projektit të LKGV, mbështetur nga Aleanca Gjinore për Qendrën për Zhvillim, Rrjeti i Grave të Kosovës dhe partnerët e tjerë përmes nismës “Përparimi i të Drejtave të Punës së Grave”.
Kjo nismë është financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim (Sida).
*Emri është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj.