“Lipjan Youth Center” avokon për mbështetjen e grave ndërmarrëse

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Lipjan Youth Center, më 29 nëntor në Lipjan, ka mbajtur tryezën avokuese për ndarjen e buxhetit për subvencione në sektorin e ekonomisë për mbështetjen e grave ndërmarrëse. 

Gjatë këtij takimi u diskutua për politikat miqësore për familjen dhe përfshirjen e kriterit të këtyre politikave në thirrjet për subvencione. 

Fitim Sadiku, trajner në këtë punëtori potencoi se qëllimi kryesor i subvencioneve duhet të jetë fuqizimi i grave dhe promovimi i politikave miqësore për familjen. 

“Përmes krijimit të këtyre mundësive do të nxitej punësimi, posaçërisht punësimi i grave. Në këtë mënyrë, bizneset duhet të ofrojnë orar fleksibil, orar të shkurtuar të punës, pushim atësor, shtesa financiare për raste të veçanta dhe hapësira për kujdes për fëmijët”, tha ai. 

Kurse, Adelina Tërshani, Koordinatore e Projekteve në RrGK, pohoi se komunat e vogla shpesh herë edhe mund të jenë shembull për komunat e tjera më të mëdha.  

“Në komuna të vogla është më problem që të mund të promovohen këto politika, por është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet pasiqë edhe komunat e vogla mund të jenë shembuj suksesi për komunat e tjera më të mëdha”, tha ajo. 

Tutje, Hyra Bytyqi, asambleiste, theksoi se diskutimet për politikat miqësore familjare janë shumë të rëndësishme dhe duhet të propozohet që të hynë si kriter në rregullore. 

“Si Grup i Grave Deputete në Lipjan konsideroj se mund ta realizojmë nëse e adresojmë këtë kërkesë. Si kriter e di që komuna ka vendosë që të mbështesë gratë dhe kjo mund të jetë edhe si përfitim për komunën dhe konsideroj që komuna do ta mbështesë këtë ide dhe të zhvillojë këto politika”, shtoi ajo. 

Për më tepër, gjatë kësaj tryeze avokuese u ndan shembuj konkret të kompanive të cilat janë duke zbatuar politikat miqësore për familjen si kompani suksesi të cilat tregojnë edhe përfitimet që ka punëdhënësi dhe punëtori përmes këtyre politikave miqësore. 

Nisma ” Promovimi i Politikave Miqësore për Familjen në nivel lokal” u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.