Me distancë dhe maska, Lobi për Barazi Gjinore (Lobi) është mbledhur sot, më 24 shkurt 2021 për të diskutuar “Gratë dhe Zgjedhjet Lokale”.
Përfaqësues të institucioneve, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si dhe anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) e gra të angazhuara në politikë diskutuan dhe ndanë përvojat e tyre lidhur me pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelin lokal.
Gjatë këtij takimi u fol për arritjet, sfidat si dhe avokimet e nevojshme që duhet çuar përpara për të rritur përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova hapi takimin duke përmendur rëndësinë e rasteve si ky në bashkimin dhe energjinë për të vazhduar përpjekjen e përbashkët për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë.
“Këtë vit kemi nevojë edhe më shumë për frymëzim. Në zgjedhjet parlamentare ndodhi një ndryshim i madh, mirëpo ne kemi përpara zgjedhjet lokale dhe duhet të mendojmë për to prej tash, pa humbur kohë. Sepse edhe në zgjedhje lokale duam të shohim gra të zoja e të guximshme, dhe ne do t’i përkrahim ato, e si mund t’i përkrahim do të bashkëbisedojmë sot edhe gjatë grupeve punuese”, tha Rogova.
Tutje, Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës në periudhën 2011-2016, në fjalën e saj përgëzoi RrGK-në dhe Lobin për aktivizmin dhe punën të cilën ajo e vlerësoi si të domosdoshme, duke qenë se barazia gjinore ende ka nevojë për vëmendje.
“Në zgjedhjet e 14 shkurtit dëshmuam që mund të zhvillojmë zgjedhje demokratike, e të shërbejmë si shembull për vendet e rajonit.[…] Kur vie puna te përfaqësimi i grave, në listat zgjedhore kemi vërejtur se asnjë parti nuk ka synuar që të arrijë përfaqësim të barabartë gjinor, po vetëm kanë mbushur kuotën prej 30%, siç e kërkon Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Është zbatuar vetëm kriteri minimal, situatë të nënpërfaqësimit të grave e kemi edhe në nivelin lokal”, u shpreh Jahjaga.
Albulena Zaimi, Menaxhere e Programit për Arsim, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), tha se çmon punën e RrGK-së dhe përpjekjet afatgjata që tashmë kanë filluar të japin rezultate të prekshme.
“Ne i kushtojmë rëndësi të veçantë principeve të barazisë gjinore, e cila është në funksion të pjesëmarrjes së barabartë të grave në jetën ekonomike dhe atë sociale. Bashkëpunimin me RrGK-në, ADA e ka filluar qysh para vitit 2012, duke e mbështetur fuqizimin e organizatave anëtare të RrGK-së si dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë e vendimmarrje”, tha Zaimi.
Kurse, Mimoza Kusari-Lila, Deputete, dha një perspektivë historike duke lidhur ndryshimet e sotme me punën e RrGK-së.
“Në fakt unë rrugëtimin e parë për Barazi Gjinore e kam filluar me ftesën e Igballe Rogovës (Igos), para dy dekadash, në vitin 2002, kështuqë faleminderit. Ne frymëzimin dhe dashurinë për politikën e kemi shumë personale dhe natyrisht që kur e marrim parasysh vendin prej nga vimë, ne do të kontribuojmë jo vetëm për vendin prej nga vimë, por për krejt shtetin, për krejt Kosovën. Për mua nuk ishte me rëndësi ku do të përfundoj në karrierrë, por çka do të kontribuoj në një vend që ishte i thyer e i dërmuar”, tha Kusari-Lila para të pranishmeve.
Po ashtu, Mihrije Suka, Nënkryetare e Komunës së Suharekës si dhe Rezarta Delibashzade-Krasniqi, Drejtore Ekzekutive, Demokraci për Zhvillim (D4D) vlerësuan këtë takim si mundësi të domosdoshme për të arritur solidaritetin e nevojshëm ndërmjet akterëve që punojnë për të drejtat e grave.
Pjesa e dytë e këtij takimi bashkoi anëtaret e Lobit në punën grupore, ku të pranishmet identifikuan pikat kyçe mbi të cilat duhet të bazohen avokimet e ardhshme për të përmirësuar pozitën e grave në politikën lokale.
Ky takim u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
Lexo edhe:
Lobi dhe Koalicioni diskutojnë për gratë në vendimmarrje në nivel lokal