Më shumë se 50 anëtare të Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi), u mblodhën në takimin e dytë për vitin 2019, që u mbajt sot, më 22 nëntor.
Takimi filloi me diskutimin rreth zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, duke e numëruar si pozitive faktin se në këto zgjedhje u shënua numri më i madh i grave që fituan ulëse në parlament pa kuotë gjinore. Të pranishmet diskutuan për suksesin e fushatës së RrGK-së “Voto për më shumë gra në parlament”, të realizuar në terren nga 25-29 shtator, me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
“Zgjedhjet e parakohshme na kanë sjellë një fitore jashtëzakonisht të madhe, 26 gra kanë fituar pa kuotë gjinore, e këtu duhet falënderuar secilën prej jush, sepse secila nga ju është angazhuar në fuqizimin dhe përkrahjen e grave. Ky vit ka qenë vit i solidaritetit”, ishin fjalët hyrëse të Igballe Rogovës, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së.
Anëtaret e Lobit nga Vitia, Peja, Vushtrria, Dragashi, Novobërda, Gjilani, dhe Obiliqi ndanë së bashku përvojat nga fushata e lartcekur. Të pranishmet diskutuan përshtypjet nga puna derë-me-derë me qytetarët dhe vullnetin e shprehur të burrave për të votuar për më shumë gra në parlament.
Asambleistja Arijeta Skeraj nga Dragashi, duke folur për solidaritetin mes grave theksoi se “Përveç që kemi lobuar për të votuar më shumë gra në parlament, kemi shpërndarë edhe informata se si të votohet. Edhe pse unë dhe Luljeta Berisha jemi në parti të ndryshme, unë kam lobuar për Luljetën, dhe kështu gjithmonë e kemi mbështetur njëra-tjetrën”.
Edhe Shemsije Seferi nga OJQ Alma në Pejë vlerësoi të arriturat e kësaj fushate.
“Lobimin që e kemi bërë për gratë, ka qenë aq i arsyeshëm, saqë të gjitha ato parti që kanë qenë në garë kanë ardhur për të bashkëpunuar me ne. Që të gjitha kanë qenë të interesuara se çfarë fushatë jemi duke bërë”, tha ajo.
Bashkërisht u diskutua edhe për mos zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj), si nga partitë politike, po ashtu edhe nga institucionet. Padia e Avokatit të Popullit (AP) ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u vlerësua shtysë që partitë politike të zbatojnë këtë ligj.
Tutje, Selvie Rexhepi, nën-kryetarje e Komunës së Kllokotit, përshëndeti të pranishmet me poezinë “Një mike e vërtetë” kushtuar Lobit.
Lobi është me ty, kur jeta të rrëzon,
Është me ty kur fati të harron,
Lobi është me ty kur këmbët s’ecin dot,
Të gjitha janë me ty kur shpirti pikon lot,
Lobi është me ty kur shpresat rrënohen,
Lobi është me ty kur ëndërrat mbarohen,
Prapë është me ty, kur ti merr guxim,
Lobi është me ty kur ti kërkon shpëtim,
Lobi është me ty kur ti tashmë fitove,
Gjithmonë është me ty, ec mos u ndalë,
Se ti e meritove!
Po ashtu, të pranishmet patën mundësinë që përmes blerjes së librit “Ditari i një gruaje të Kosovës”, të aktivistes Sevdije Ahmeti, të kontribuojnë për edukimin e vajzave përmes fondit për bursa.
Në fund të takimit u bë e ditur se Takimi Vjetor i Anëtareve të RrGK-së do të mbahet më 7 dhjetor 2019.
Ky takim i Lobit u mbështet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
KËTU mund të lexoni artikullin e takimit të parë të Lobit për këtë vit.