Lobi për Barazi Gjinore mbajti takimin e parë për 2019

Më 11 shkurt Lobi për Barazi Gjinore (Lobi) mbajti takimin e parë për vitin 2019.Takimi filloi me diskutimin e temave aktuale që kanë ndodhur në vendin tonë, konkretisht për rastin e abuzimit seksual të së miturës nga Drenasi si dhe për logon diskriminuese të 11 vjetorit të pavarësisë. Për më tepër, lidhur me logon e 11 vjetorit të pavarësisë, ku në plan të parë paraqitet vetëm silueta e një burri, gjatë diskutimeve për të reaguar për këtë çështje u konsiderua se kjo vetëm ju mbyll dyert vajzave dhe grave në ushtri.
Andaj, menjëherë atë ditë Lobi dhe RrGK dërguan një reagim tek mediat, të cilën mund ta lexoni këtu.

Tutje të pranishmet takimin e vazhduan duke diskutuar për nismat e sukseshme avokuese të ndërrmara në vitin 2018.

Igballe Rogova Drejtore Ekzekutive e RrGK poashtu shpalosi edhe iniciativën e re të mbështetur nga zyra e Bashkimit Evropoian që ka synim fuqizimin e pjesëmarrjës se grave në politike, duke shpjeguar se si kjo iniciativë katër vjeçare do të kontribuojë në organizimin e shumë takimeve në mes të RrGK, Lobit dhe Koalicionit për Barazi.

“Në çdo komunë planifikojmë të organizojmë takime me gratë votuese. Sot kemi përpara një shansë që të punojmë që më shumë gra të përfshihen në pozita vendimmarrëse. Ne duhet ta ndryshojmë këtë situatë, pasi që tani kemi mundësi pas një kohe të gjatë me u kthy te gratë votuese. Qëllimi është me e shpërnda një mesazh, e mesazhi është solidariteti mes grave”, u shpreh Rogova.

Komunat e Mamushës, Fushë Kosovës, Dragashit janë ndër vendet e para që u propozuan për të nisur takimet me gratë votuese.

Të pranishmet u pajtuan se është koha që gratë të mbështesn publikisht njëra-tjetrën.Ndërsa lidhur me të arriturat e vitit 2018 dhe synimet për vitin 2019, Lindita Dërvisholli nga komuna e Fushë Kosovës tha se kanë arritur rritjen e subvencioneve dhe avokimin për mamografinë, ku kjo e fundit është miratuar në Kuvendin Komunal dhe çdo vit do të ketë ndarje të buxhetit për ta siguruar atë.

Gjatë këtij takimi u vendos që mbledhja e Koalicionit për Barazi të mbahet në muajin mars. Ky takim u mbështet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).