Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RRGGK), mbajtën takim të përbashkët, të enjten, me 28 maj. Ky takim mblodhi 250 pjesëmarrës, përfshirë këtu anëtaret e Lobit dhe RrGGK, familjare të dëshmorëve të Komunës së Dragashit, donatorë, miq dhe përkrahës të RrGGK-së. Në këtë takim morri pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.
Takimi u hap nga aktivistja dhe aktorja Safete Rogova me poezinë “Ti je vet universi” të cilën ajo i kishe shkruar kushtuar gruas.
Në pjesën e parë të takimit, anëtaret e Lobit dhe të Rrjetit, i dorëzuan Presidentes Jahjhaga fustanat/fundet që i kishin mbledhë për të kontribuar në instalacionin artisitik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa, i cili i dedikohet grave që kanë mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës, organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i themeluar dhe i udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.
“Një temë e cila na bashkuar sot është trajtimi i një çështjeje shumë të ndjeshme për shoqërinë tonë të pasluftës, që ka qenë një temë tabu dhe një temë që qëllimisht është mbajtur si një kapitull i mbyllur, i dhimbshëm, i motrave tona, i nënave tona, i vajzave tona, për plotë 16 vite pas përfundimit të luftës, padrejtësisht është mbajtur kjo, e që ka të bëjë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Ju më keni dëgjuar shumë shpesh duke thënë që faji nuk është mbi to, faji është mbi ata të cilët e kanë kryer këtë krim makabër dhe neve vetëm me punë të përbashkët mes veti, duke përkrahur njëra-tjetrën ne do ta shmangim fajin nga to. Ne do ta tërheqim stigmën nga shoqëria jonë, duke e vendosur nga ata, të cilët e kanë kryer këtë krim makabër, dhe ato kërkojnë vetëm një çështje, ato kërkojnë drejtësi dhe neve duhet t’ua japim këtë drejtësi përbrenda shoqërisë sonë, por edhe jashtë vendit tonë duke e ndërkombëtarizuar këtë çështje,” u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.
Instalacioni artistik “Mendoj për ty” do të realizohet duke vendosur mijëra fustane dhe funde të grave në varëse të rrobave në fushën e stadiumit të Prishtinës. Fundet dhe fustanet po vazhdojnë të mblidhen (deri me 6 qershor) në pikat e grumbullimit në të gjithë vendin me mbështetjen e organizatave jo qeveritare. Secili fund dhe fustan i dhuruar do bëhet pjesë e instalacionit.
Ky instalacion ka për qëllim të portretizoj pafajësinë e grave të cilat kanë mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës dhe tani kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë shoqërisë.
“Mbas luftës, të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë nuk gjetën përkrahje nga shoqëria apo nga institucionet. Shoqëria jonë i stigmatizoi, i nënçmoi dhe i izoloi. Ishin organizatat e grave ato që iu qëndruan afër gjithë këto vite, deri në momentin kur ato vendosën me e thy heshtjen dhe ne së bashku përtmes RrGGK dolëm së bashku dhe e thyem këtë heshtje: dolëm në protestë në vitin 2012 me moton “Kërkojmë mbrojtje ligjore dhe drejtësi.” Atë vit u ngrit për herë të parë debati edhe në Parlament,m atë vit u zhvilluan shumë debate edhe në TV, u zhvilluan shumë debate në shoqëri – e thyem murin,” u shpreh Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK. “Pastaj, më vonë, u themelua edhe një mekanizëm shumë i rëndësishëm, për të cilin duhet të jemi shumë krenare që e kemi, duke iu falenderuar Presidentes tonë, zonjës Atifete Jahjaga, e ky mekanizëm është Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës. Përmes Këshillit, Presidentja dha kontribut të madh në shumë fusha që i prekin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke e ngritur këtë çështje edhe në nivel kombëtarë, por edhe duke e ndërkombëtarizuar atë.”
Ky instalacion është pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës (për më shumë informata rreth këtij aktiviteti dhe pikave të grumbullimit kliko këtu).
Gjatë takimit, u vendos që të gjitha anëtaret e Lobit, të planifikojnë se kur mendojnë të shfaqin filmin “Tri dritare dhe një varrje” gjatë periudhës Shtator – Dhjetor 2015, film ky i cili shfaqet në kuadër të fushatës së Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës.
Ky takim u përkrah nga Austrian Development Agency (ADA).
Ndërkaq, pas grumbullimit të fustanave/fundeve dhe fotove të çastit të pjesëmarrëseve me Presidenten Jahjaga, pjesa e dytë e takimit iu kushtua diskutimit dhe promovimit të iniciativave të suksesshme avokuese të ndërmarra nga anëtaret e Lobit, në 24 komuna të ndryshme nëpër Kosovë, përfshirë:
· Anëtaret e Lobit nga Komuna e Pejës, përmes avokimit tek zyrtarët komunal, ka arritur të inkurajojmë gratë të kandidojnë për kryetare të bashkësive lokalë. Shemsije Seferi nga OJQ Alma ka arritur të mbërrij deri në nivelin e Këshillit të Bashkësisë Komunale, edhe pse ende jo në nivelin e Kryetares së Bashkësisë Lokale.
· Në Dragash, anëtaret e Lobit kanë avokuar dhe kanë arritur t’i kyçin vajzat në sport, saktësisht në volejboll, një gjë që i ka munguar kësaj komune. Tani profesorët e edukatës fizike në këtë komunë, së bashku me drejtorët e shkollave të ndryshme, kanë premtuar mobilizim dhe përkrahje më të madhe në këtë fushë.
· Në Gjilan, është arritur që përmes avokimit të anëtareve të Lobit, të bëhet punësimi i 53 grave nëpër shkolla të ndryshme të kësaj komune.
· Anëtaret e Lobit nga Vushtrria kanë arritur që të promovojë pregaditjen e ushqimit tradicional nga gratë kryefamiljare dhe falë një donacioni të një komune suedeze, kanë arritur të sigurojnë edhe financimin e këtij projekti, si dhe financimin e qëndrimit ditor për pensionerë.
· Në Komunën e Drenasit, anëtaret e Lobit, përmes avokimit, kanë arritur që të punësojnë 8 gra në dy kuzhina të ndryshme shkollash, ndërkaq planifikohet punësimi edhe i katër grave të tjera në një kuzhinë tjetër. Poashtu, falë avokimit të tyre është arritur që të ketë më shumë gra në pozita vendim-marrëse, përfshirë: dy drejtore të dy shkollave fillore në komunën e Drenasit, një zëvendës drejtore në një shkollë, si dhe drejtoren e Shtëpisë së Shëndetit në Drenas.
· Anëtaret e Lobit në Komunën e Prishtinës, kanë avokuar për strehimin ditor të personave me aftësi të kufizuara, me ç’rast është ndarë edhe buxheti për këtë çështje. Kështu, gratë e punësuara që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, tash e kanë një vend për qëndrim ditor të fëmijëve të tyre dhe e kanë më të lehtë të punojnë jashtë shtëpisë.
· Në Ferizaj, Lobistet kanë arritur qëtë sigurojnë qëndrimin ditor pa pagesë për fëmijët enënave vetushqyese. Ato poashtu kanë arritur që falë avokimit të përbashkët të OJQ Hendifer, asambleisteve të komunës dhe Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, të sigurojnë mamografinë për komunën e Ferizajit. Në këtë komunë është arritur edhe sigurimi i financimit të mjekimit të një fëmije jashtë shtetit. Ndërkaq, një iniciativë avokuese që veçse ka filluar, është që përmes diskriminimit pozitiv të sigurohen së paku 5 bursa nga totali prej 50 bursave që i ndanë komuna, për vajzat e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.
Në këtë takim, Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë iu shtua edhe një komunë anëtare, ajo e Shtimes.
Ky takim u përkrah nga Austrian Development Agency (ADA).