Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në politikë dhe procese vendimmarrëse gjithnjë e ka shoqëruar përpjekjen për arritjen e barazisë gjinore.
Në këtë drejtim Lobi për Barazi Gjinore (Lobi) që nga themelimi i tij në vitin 2014 ka pasur rol kyç në bashkimin e grave dhe hapjen e diskutimeve të nevojshme për mirëqenien e tyre.
Në këtë fushë, shembull suksesi është Lindita Kozmaqi –Piraj, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit, e cila e vlerëson tej mase përkrahjen e marrë nga Lobi.
“Mbështetja e Lobit ka qenë shumë e rëndësishme dhe ka shërbyer si një mënyrë shumë e mirë për të njohur dhe shkëmbyer përvoja të ndryshme me koleget nga komuna të tjera, me shoqërinë civile si dhe me asambleistët.”
Ndër tjerash, Piraj Lobin e sheh si vendin e duhur për të adresuar problematikat dhe nevojat e grave dhe vajzave.
“Përmes takimeve të Lobit kemi marrë referime e këshilla se si të avokojmë për të drejtat e grave si dhe ku të drejtohemi për të kërkuar zgjidhje.”
Gjatë vitit 2019 Lobi në Dragash ka avokuar për të rritur dhe përmirësuar pozitën e grave në proceset vendimmarrëse si dhe ka avokuar që të rifunksionalizohen qendrat e kujdesit ditor.
Piraj tutje tregon sa kanë qenë të nevojshme këto nisma për përmirësimin e pozitës së grave dhe vajzave në Kosovë.
“Për vite te tëra unë se bashku me përfaqësueset e shoqërisë civile nga Komuna Dragashit në takimet e Lobit e kemi ngrit problematikën e mos posedimit te një çerdheje për ruajtjen e fëmijëve ne Komunën tonë.”
“Mirëpo, falë punës së palodhshme dhe përkrahjes se madhe marrë nga RrGK kjo çështje ka kaluar edhe në instanca më të larta. Kështu që nga viti i kaluar Qendra me qëndrim ditor te fëmijëve ka filluar të funksionojë, me mbështetje të UNCEF –it.”
Për fund, ajo ka një mesazh për gratë të cilat hasin vështirësi gjatë rrugëtimit të tyre në karrierë.
“Mesazhi im për gratë dhe vajzat është qe kurrë mos të ndalen, por të punojnë, të bashkëpunojnë me të gjithë akterët në nivel lokal e qendror, por edhe me Rrjetin e Grave apo Lobin.”
Lexo më shumë lidhur me nismat e suksesshme të Lobit në Kllokot dhe atij në Lipjan.