Nismat e sukseshme avokuese të Lobit në Kllokot

Që prej themelimit të Lobit për Barazi Gjinore (Lobi), anëtarët vazhdimisht kanë punuar të përkushtuar drejt arritjes sё barazisё gjinore nё Kosovё.  

Një vend të veçantë në angazhimin për të drejtat e grave ka zënë gjithnjë fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë dhe procese vendimmarrëse. Në këtë fushë, shembull suksesi është Selvie Rexhepi, Nënkryetare për Komunitete në Komunën e Kllokotit.  

Rexhepi pohon se padyshim që Lobi ka merita në rrugëtimin e saj për të arritur deri te kjo pozitë në komunë. 

Pjesëmarrëset gjatë trajnimit mbi të drejtën e trashëgimisë “Unë dhe ti jemi të barabartë”

“Përvoja, avokimi dhe guximi i grave të Lobit t’u ballafaquar me sfida më ka ndihmuar për të arritur deri këtu”, thotë ajo.   

Tutje, Rexhepi ka përmendur disa nisma avokuese që ka ndërmarrë Lobi në këtë komunë, drejt arritjes së përmirësimit të pozitës së grave dhe vajzave në Kosovë, pavarësisht etnisë së tyre.  

E drejta në trashëgimi, forcimi i bashkëpunimit me Komunën e Kamenicës si dhe aktivitetet e ndërmarra për fëmijët me nevoja të veçanta, janë disa prej sukseseve që Rexhepi kujton teksa flet për aktivitetet e ndërmarra falë bashkëpunimit me Lobin.  

Gratë shqiptare dhe serbe gjatë takimeve të përbashkëta të Lobit në Kllokot dhe Komunës së Kamenicës

“Në lidhje me trashëgiminë kemi punuar mjaft, por kjo nuk do te thotë se kemi arrit qëllimin te të gjitha gratë që të vetëdijësohen se duhet të kërkojnë trashegiminë sepse janë qenie të barabarta me burrat, kjo sepse ju duhet për t’u forcuar ekonomikisht, për të vazhduar jetën me forcat e veta dhe të jenë aktive në jetë. Pa një zhvillim ekonomik edhe problemet jane evidente deri te dhuna në familje që fatkeqësisht ende është shumë e shprehur”, ka thënë Rexhepi. 

Duke ditur se Kllokoti është komunë dyetnike, Rexhepi përmend se bashkëpunimi me Komunën e Kamenicës ka qenë tejet i mirëpritur dhe ja vlen që të vazhdohet edhe me komunat e tjera.  

Ajo poashtu ka vlerësuar lart rëndësinë e takimeve të rregullta të Lobit.  

“Mbledhjet e Lobit gjithmonë kanë ofruar informata mbi gjendjen dhe te drejtat e grave. Në ato takime kanë qenë prezent shumë institucione të vendit dhe nderkombëtare, deputete te ndryshe dhe figura intelektuale. Me Lobin bashkëpunimi ka qenë i ndersjelltë në aktivitete, por më së shumti më gëzon  fakti në ndihmën që ju bën organizatave apo shoqatave te grave”, thotë Rexehpi duke shtuar se mesazhi i saj për gratë është që të mos ndalen, pavarësisht sfidave.  

Fëmijët me aftësi të kufizuara gjatë festimit të 28 Nëntorit

“Suksesi ka të bëjë me atë se sa ndryshim bën në jetën e njerëzve. Ky është LOBI”, ka thënë Rexhepi. 

Në mbledhjen e Lobit të mbajtur në nëntor 2019, Rexhepi përshëndeti të pranishmet me poezinë “Një mike e vërtetë” kushtuar Lobit.  

     Klikoni KËTU për ta lexuar këtë poezi si dhe për të lexuar më shumë për këtë takim.