Lufta e përbashkët kundër Dhunës me Bazë Gjinore  

Përgjatë muajit nëntor në Kosovë, si në mbarë botën, u shënua fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.  

Rrjeti i Grave të Kosovës u përfaqësua nga Kryetarja e Bordit, Ariana Qosaj Mustafa në hapjen e aktiviteteve të organizuara nga Ministria e Drejtësisë, poashtu edhe nga Menaxherja e Programit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Adelina Berisha.  

“Një çështje kyçe që kërkon fokusin tonë kolektiv është nevoja për një ndarje gjithëpërfshirëse të burimeve njerëzore dhe financiare për të luftuar dhunën ndaj grave”, tha Qosaj Mustafa. 

Ndërkaq, Berisha mori pjesë edhe në panelin “Të bashkuar Kundër Dhunës-Mjaft!”. 

“Edukata seksuale në shkolla si lëndë obligative, ndikon direkt në parandalimin e dhunës. Të gjitha institucionet duhet të jenë më llogaridhënës në trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Kjo është ndër krimet më të shpeshta të sistemit Prokurorial të Kosovës”, u shpreh Berisha.  

Poashtu, gjatë fundit të muajit nëntor, ekipi i Rrjetit të Grave të Kosovës ishte pjesë e dy paneleve të ndryshme në bashkëbisedim me nxënësit për dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore. 

Ekipi i GBV-së mori pjesë në lansimin e raportit të organizatës CEL, “Analiza mbi Dhunën me Bazë Gjinore ndaj Komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë 2023-2024”, ku u identifikuan sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBTI+ në raportimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Gjithashtu, Adelina Berisha, Menaxhere e Programit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, udhëhoqi panelin e diskutimit, ku morën pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe shoqëria civile. 

Ekipi i Programit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, përgjatë muajit tetor dhe nëntor ka vazhduar me përkushtim përpjekjet për t’i dhënë fund të gjitha formave të kësaj dhune, duke u udhëhequr nga Programi Strategjik i RrGK-së. 

Në këtë linjë janë mbajtur takime të ndryshme të organizuara nga institucione vendore dhe ndërkombëtare ku RrGK ka avokuar për përmirësim të infrastrukturës ligjore për trajtim të rasteve të dhunës me bazë gjinore.   

Përgjatë tetorit, e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, u mbajt “Konferenca mbi Promovimin dhe Zbatimin e Legjislacionit dhe Politikës për Parandalimin e Ngacmimeve Seksuale në Institucionet e Administratës Publike të Kosovës”, në panelin “Adresimi, reagimi dhe rëndësia e raportimit senzitiv të rasteve të ngacmimeve seksuale në Institucionet e Administratës Publike”, folëse ishte Adelina Berisha, Menaxhere e programit për adresim të Dhunës me Bazë Gjinore, në RrGK.  

Ajo foli për rolin që organizatat e grave kanë dhënë në adresimin e ngacmimit seksual dhe për rëndësinë e një qasjeje që ka viktimën në qendër, marrë parasysh pasojat që lë ngacmimi seksual te personat që e kanë përjetuar atë.  

Në anën tjetër, ekipi hulumtues ka vazhduar me intervista në kuadër të hulumtimit që RrGK po bën për të kuptuar më mirë se sa institucionet vendore po e zbatojnë legjislacionin kundër dhunës me bazë gjinore, mundësitë dhe sfidat për trajtim të dhunës me bazë gjinore, duke u fokusuar edhe në njohuritë dhe perceptimet e tyre për format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore. 

 
Përgjatë periudhës mars-nëntor, ekipi ka monitoruar mbi 100 raste që lidhen me dhunën në familje, dhunën me bazë gjinore, dhunën ndaj grave dhe besimin e fëmijëve – në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe të Ferizajt. Këto raste përfshijnë forma të ndryshme të dhunës, ndër to edhe vrasjen e rëndë, dhunën fizike dhe psikologjike dhe urdhrat mbrojtës. 

Po ashtu, gjatë këtyre dy muajve të fundit ekipi monitorues ka vazhduar të monitorojë mbi 100 seanca gjyqësore të rasteve të dhunës në familje, si dhe ka përfaqësuar dhe këshilluar ligjërisht mbi 20 gra. Për ta vazhduar avokimin dhe për të rritur vetëdijen e qytetarëve për adresim të dhunës me bazë gjinore, gjatë tetorit dhe nëntorit, RrGK pati 10 paraqitje mediatike, ku mes tjerash ka folur edhe për rekomandimet e RrGK-së për futjen e Dhunës Kibernetike në Kod Penal dhe dhunimet ndaj të miturave. Rrjeti ka theksuar se po kërkon me ngulm nga institucionet përkatëse që të trajtojnë me prioritet dhe seriozitet të plotë rastet e dhunës ndaj të miturve, duke përfshirë rastet e fundit të dhunimit ndaj disa të miturave. Po ashtu, kërkoi që këto raste të hetohen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, në mënyrë që çdo person përgjegjës të vendoset para drejtësisë dhe të marrë dënimin e merituar.  

Gjatë fillimit të muajit nëntor, vendi poashtu u trondit me lajme të zeza, kur brenda vetëm 48-orëve ndodhën 3 dhunime, mes tyre 2 të mitura. RrGK edhe përmes paraqitjeve televizive ngriti zërin që këto raste të trajtohen me seriozitetin më të lartë, derisa theksoi se këto ngjarje nxjerrin në pah pasigurinë që ende e përjetojnë vajzat dhe gratë në shoqërinë tonë.

Programi i RrGK-së për adresim të Dhunës me Bazë Gjinore do ta vazhdojë aktivitetin e vet edhe në muajt në vijim, me qëllim të parandalimit të çdo forme të dhunës me bazë gjinore në Kosovë.