Marie Kraja, zëri magjepsës i operas shqiptare, gruaja që përmes artit thyente tabu

Artistë të përmasave të Marie Krajës i vijnë rrallë botës artistike shqiptare. Ajo është simbol i artit muzikor shqiptar, një nga më të shquarat e këtij zhanri. Kudo ku ajo dha kontributin e saj, si në interpretimet e këngëve popullore, virtuozitetin e vokalit operistik, edhe në fushën e pedagogjisë dhe mësimit të brezit të ri me pasionin për këngën, ajo u dha me mish e me shpirt, me kohë të plotë e me zemër të madhe.

“Kur isha e vogël, im atë më pyeti, nëse dua të bëhem mësuese apo këngëtare. Dhe unë i thashë këngëtare se mendoja se dija të këndoja. Ai më tha se duhet të kryesh shkollimin për këngëtare dhe kush e di ndoshta edhe në vendin tonë dikur mund të këndosh në opera,” rrëfente Marie Kraja, në një intervistë të transmetuar në vitin 1974 në Radio Televizionin e Prishtinës.

Dhe parashikimi i të atit doli i vërtetë. Marie Kraja u bë këngëtarja e parë shqiptare e Operës, duke luajtur në operën e parë shqipe “Mrika.”

Marie Kraja lindi në Zarë të Dalmacisë në vitin 1911. Në moshën 6 vjeçare familja e saj u vendos në Shkodër.

Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj i parë ishte në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku Maria përfaqësoi Shqipërinë me interpretimin e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.

“Në Vjenë në mbledhjen e Kombeve, përveç këngëve të huaja këndova edhe dy këngët shqiptare që lanë mbresa të mëdha atëherë. U fol shumë mirë edhe në shtypin e atëhershëm. Në këtë vit në Grac kam kënduar në inaugurimin e sallës “Mocarti”. Pastaj u ktheva në atdhe, entuziaste,” shprehej Marie Kraja.

Në Shqipëri aktiviteti i saj fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert në Tiranë. Më 1938 megjithëse vazhdon një aktivitet të dendur koncertal, fillon punën si mësuese muzike në Institutin “Nëna Mbretëreshë”, pastaj në Radio Tiranë dhe Liceun Artistik më 1946. Më pas me hapjen e Institutit të Lartë të Arteve, Maria filloi të japë mësim atje dhe që në hapjen e Teatrit të Operas dhe Baletit ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni dhe u bë nga solistet e para të këtij Teatri.

Ajo nuk iu nda as pas daljes në pension aktivitetit pedagogjik.

Marie Kraja solli një traditë të re të kantos në Shkodër krahas grave të tjera përparimtare në muzikë siç ishte Tefta Tashko Koço.

Por, edhe aktiviteti i saj jashtë Shqipërisë është i dendur dhe i pasur ku ndër të tjera kalon në skenat e mëdha të shteteve të Italisë, Austrisë, Gjermanisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, ish Bashkimin Sovjetik.

Pa u shkëputur nga kënga popullore, Marie Kraja studioi pjesë nga Shumani, Shuberti, Veberi, Betoveni, Mocarti, Shtrausi, Bah, etj, shkruan publicisti Albert Vataj.

Megjithatë, pasioni i saj i madh ishte mbledhja dhe kënga popullore ku dallohen 300 këngë popullore sidomos nga zona e veriut të Shqipërisë të mbledhura nga qytetet Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj ku u ruajtën në institucionin e Radio-Tirana si fond i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Maria ka pasur dhe peripeci në lidhje me sistemin komunist ku ishte shënjestruar si një eksponent që vinte siç thuhesh nga ajo kohë me ‘’biografi të keqe’’ ku mendohesh se nga familja e saj kishin pasur lidhje me eksponentë të nazizmit për t’u gjetur mënyra që të kryqëzohesh artistikisht, dhe një mënyrë për ta denigruar.

Megjithatë, ngeli në zemrën e publikut gjithmonë një krenari e këngës shqiptare dhe një profesioniste me rang botëror në mënyrën e interpretimit.

Për Artisten e Popullit Marie Kraja janë shkruar shumë artikuj, shkrime e vlerësime nga autorë të ndryshëm. Muzikologu dhe kritiku muzikor, Spiro Kalemi, autor i një monografie për Marie Krajen shkruan:

“Maria, përmes këngës, arriti të zbulojë dinamikën e jetës qytetare, nxori në pah motivet e ndryshme shoqërore, botëkuptimin e një epoke e deri shijet e një mjedisi të caktuar, meqë pasqyroheshin me besnikëri në këto këngë, njëkohësisht mënyra se si ajo përdori teknikën e të kënduarit dhe zërin, krijoi një shtrirje harmonike në mes për bërësve poetikë e muzikorë të këngës,” shprehet Kalemi.

Ndërsa pedagogu e studiuesi Ferid Bala, në “Kënga dhe këngëtarët shkodranë”, Shkodër, 2014, shkruan: “Për mendimin tonë, Marie Kraja i nxori këngët popullore nga auditori i ngushtë familjar dhe i solli në mjedise të hapura koncertale, pranë publikut të çdo moshe e gjinie. Duke kapërcyer kufizimet vokale të këngëtarëve të rëndomtë të ahengut dhe, duke i’u shmangur teprimeve të shumë artistëve profesionistë, lidhur me frazën e dendësinë e zërit të përdorur, mënyrat e matura dhe të sakta të të kënduarit të Maries, u kthyen në shembull për të tjerët. Arsyet që këto këngë të interpretuara nga Marie Kraja i qëndruan kohës, janë të lidhura në një masë të mirë me dy faktorë, me vlerën e vetë këngës dhe së dyti me mënyrën e interpretimit te tyre nga Marie Kraja”, shprehet ai.

Për gjithë aktivitetin e gjatë artistik, Marie Kraja është nderuar me çmime, tituj, urdhra e medalje të ndryshme. Në vitin 1961 ajo është ndër e para që merr urdhrin e lartë “Artiste e Popullit”. Ndonëse kanë kaluar vite, Marie Kraja mbetet simbol i muzikës shqiptare. Më 1986 me rastin e 85-vjetorit të lindjes iu akordua urdhri “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Në kuadër të këtij vlerësimi veprën dhe emrin e kësaj artisteje të madhe, është edhe Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” që në maj të këtij viti realizoi me sukses edicionin e saj 19-të.

Marie Kraja vdiq në Tiranë më 21 nëntor të vitit 1999.