MARShojmë S’Festojmë – Edhe këtë vit gratë dhe burrat marshuan për të drejta njerëzore

Edhe këtë vit, 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, në Kosovë u shënua me një sërë aktivitetesh, të cilat u organizuan nga shoqëria civile, aktvistët, sindikalistët, akademikët e studentët. Të bashkuar nën ombrellën Kolektivi u mblodhën nën moton “MARShojmë S’Festojmë”, që tashmë po përdoret për të tretën herë gjatë organizimeve për ditën e gruas.
     Këtë vit, në Prishtinë, u marshua për të drejta ekonomike dhe shoqërore, si parakusht për një qytetari të njëmendët, për të kërkuar punësim pa shfrytëzim, barazi, liri dhe drejtësi shoqërore, punësim me pagë për një jetë me dinjitet, si dhe kundër seksizimit, homofobisë, transfobisë dhe racizimit. Gjithashtu, u bë thirrje për sigurime shëndetësore, siguri në punë dhe punë pa diskriminim për të gjithë pa dallim etnie, moshe, shkollimi, orientimi seksual dhe aftësie.
     Në ora 12:00, u mbajt marshi protestues “MARShojmë S’Festojmë”, ku qindar qytetarë marshuan nga Sheshi Zahir Pajazi, duke kaluar nga Banka Qendrore e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Gjykata Themelore e deri tek Parlamenti/Qeveria e Kosovës.
     Brohoritja u bë edhe më e fuqishme kur marshuesit kaluan pranë tri billbordeve të vendosura afër stacionit policor në rrugën Luan Haradinaj, ku në dy billbordet e para ishin emrat e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit, dy gra që janë vrarë nga burrat e tyre. Ndërsa, në të tretin shkruante: “Edhe sa thirrje të humbura?”, duke iu referuar dështimit të autoriteteve përkatëse sa i përket mbrojtes së viktimave. Këto billborde u realizuan nga grupi Haveit, frymëzuar nga filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”