MARShojmë S’Festojmë: Edhe këtë vit gra dhe burra marrshuan për të drejta të njeriut

Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 marsi në Kosovë u shënua me një sërë aktivitetesh, të cilat u organizuan nga shoqëria civile, aktvistët, sindikalistët, akademikët e studentë.

Edhe këtë vit, në Prishtinë, u marshua për të drejta ekonomike dhe shoqërore, si parakusht për një qytetari të njëmendët, për të kërkuar punësim pa shfrytëzim, barazi, liri dhe drejtësi shoqërore, punësim me pagë për një jetë me dinjitet, si dhe kundër seksizimit, homofobisë, transfobisë dhe racizimit. Gjithashtu, u bë thirrje për sigurime shëndetësore, siguri në punë dhe punë pa diskriminim për të gjithë pa dallim etnie, moshe, shkollimi, orientimi seksual dhe aftësie.

Ky marsh protestues “MARShojmë S’Festojmë” nisi në ora 12:00, ku qindra qytetarë marshuan nga Sheshi Zahir Pajazi, duke kaluar nga Banka Qendrore e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Gjykata Themelore e deri tek Qeveria e Kosovës/Parlamenti. Me parulla në dorë, të gjithë brohorisnin thënie nga Manifesti i përgaditur nga Kolektivi, sikurse “Trupi jem, e drejta jem”, “Mos ma prek hisen!”, “Spo du lule, po du kontratë pune”, “Profesioni ska gjini”, dhe shumë thënie të tjera. Kolektivi, nën moton “MARShojmë S’Festojmë”, u bënë thirrje shoqërisë për t’u mobilizuar kundër pabarazive dhe shfrytëzimit në punë, në sferën publike dhe private.

Marshe të njejta u organizuan edhe në tri qytete të Kosovës, në Rahovec, Prizren, Mitrovicë dhe Ferizaj ku një numër i madh i qytetarëve protestuan përgjatë rrugëve të këtyre qyteteve.