Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase në Kosovë (RROGRAEK), njëherit organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), më 26 shkurt mbajti takimin e fundit të projektit “Mbështetja në parandalimin e martesave të hershme të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian në Kosovë”.
Ekspertja për barazi gjinore, Xhulieta Devolli bëri të ditur se projekti u realizua në tri komunat që janë më së shumti të banuara nga komunitetet jo–shumicë: Mitrovicë, Graçanicë dhe Lipjan.
Martesat e hershme Devolli i ka vlerësuar si “dukuri mjaft e shprehur”, duke theksuar se ato duhet luftuar nga shoqëria. Ajo shpalosi edhe Raportin mbi Rekomandimet e Zbatimit të Kërkesave të Konventës së Stambollit lidhur me situatën e martesave të hershme të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë.
Drejtorja e RROGRAEK-ut, Shpresa Agushi tha se ky raport do të përmirësojë sado pak jetën e këtyre grave. Ajo poashtu përmendi se “përkrahjen e parë e kishim nga RrGK-ja.”
Ariana Qosaj–Mustafa, Drejtore e programit dhe Hulumtuese e lartë në KIPRED, e cila ishte ndër hartueset e raportit, shprehu shqetësim lidhur me mos zbatimin e ligjeve. Ndër të tjera, ajo theksoi se “nuk ekzistojnë statistika sa u përket martesave të hershme, pasi që shumë pak raste janë paraqitur.”
Konferenca përmbyllëse e projektit do të mbahet në fund të muajit prill, me ç’rast akterë shtetëror do të njoftohen me të arriturat e projektit.
Ky projekt është zbatuar nga RROGRAEK, mbështetur nga UN Women dhe financuar nga Bashkimi Evropian (BE).