Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWLA) më 9 qershor kanë mbajtur punëtorinë e radhës, në të cilën u diskutua për instrumentet ligjore të Bashkimit Evropian (BE), dhe si mund të shfrytëzohen ato për t’i luftuar pabarazitë gjinore.
Stafi i RrGK-së së bashku me ekspertet e EWLA-së, Katharina Miller, kryetare, EWLA, si dhe Sylvia Cleff Le Divellec diskutuan për përbërjen e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, rolin e gjykatave, ligjet e punës si dhe ligjet diskriminuese, e po ashtu edhe për atë se si Kosova, si shtet jo-anëtar i BE-së mund të zbatojë apo ndjek legjislacionin e BE-së (i njohur si Acquis communautaire).
Në pjesën e parë të takimit u diskutua për ndikimin e pandemisë COVID-19 në punën dhe aktivizmin e përditshëm të aktivisteve për të drejtat e grave, kurse në pjesën e dytë, stafi i RrGK-së dhe EWLA diskutuan më gjerësisht rreth mjeteve juridike të BE-së.
Miller dhe Cleff Le Divellec e çmuan shumë këtë punëtori, duke e vlerësuar si një mundësi tejet të mirë për të dëgjuar perspektivën e aktivisteve të RrGK-së.
“Për EWLA-në është shumë me rëndësi që të bashkëpunojë me RrGK-së, e veçanërisht tani në këtë kohë pandemie”, thotë Miller, teksa shton se legjislacioni i BE-së i ndërlidhur me barazinë gjinore është jetik për avancimin e të drejtave të grave, drejt krijimit të demokracive paqësore dhe të qëndrueshme në BE.
“Është nder dhe frymëzim i madh që së bashku me RrGK-në jemi duke punuar për ta zbatuar edhe në Kosovë legjislacionin e BE-së për Barazi Gjinore. Kemi edhe shumë rrugë përpara, por së bashku jemi më të forta”, thotë ajo.
Gjithashtu, edhe Etleva Malushaj, Koordinatore e Projektit në RrGK ka vlerësuar punëtorinë.
“Ky trajnim ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të diskutuar mbi ndikimin që pandemia ka pasur, posaçërisht te gratë duke i rrezikuar ato në shumë aspekte. Takime të tilla janë shumë të vlefshme për të ndërtuar solidaritet ndërmjet grave duke shkëmbyer ide për një angazhim edhe më të madh për drejtësi e barazi”, thotë ajo.
Ndër të tjerash, përgjatë këtij diskutimi, stafi i RrGK-së informoi përfaqësueset e EWLA-së së punëtoria e kaluar “Të Drejtat e Barabarta dhe Barazia Gjinore për gratë dhe burrat në Kosovë”, e mbajtur në tetor të vitit 2020, me anëtare të RrGK-së, anëtaret e Lobit për Barazi Gjinore (Lobi) dhe Koalicionit për Barazi, ishte fitimprurëse për organizatat anëtare të RrGK-së.
Kjo punëtori u mbajt në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.