RrGK dhe EWLA organizojnë punëtori katër-ditore rreth legjislacionit të BE-së për barazi gjinore

Gjatë katër ditëve rresht (12,13,14 dhe 15 tetor), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWLA) ishin nikoqire të punëtorisë katër ditore “Të Drejtat e Barabarta dhe Barazia Gjinore për gratë dhe burrat në Kosovë”.

Organizatat anëtare të RrGK-së, anëtaret e Lobit për Barazi Gjinore (Lobi) dhe Koalicionit për Barazi (KB) si dhe stafi i RrGK-së përfituan nga ekspertiza e  Katharina Miller, kryetare, EWLA, Sylvia Cleff Le Divellec dhe Dace L. Luters-Thümmel.

Këto punëtori u vlerësuan lart nga  Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova.

“Ne donim të takoheshim personalisht, por për fat të keq jemi në këtë situatë për shkak të pandemisë COVID-19 dhe po i mbajmë këto punëtori online përmes platformës Zoom. Megjithatë, jemi me fat që kemi ekspertet e EWLA sot me ne. Legjislacioni i BE-së për Barazinë Gjinore është temë shumë e rëndësishme për t’u kuptuar nga të gjithë ne dhe për t’u përdorur për avancimin e pjesëmarrjes së grave në disa sektorë”, tha Rogova.

Për më tepër, ekspertet e EWLA-së së bashku me stafin e RrGK-së diskutuan për ngacmimin seksual, kriteret e diskriminimit si dhe praktikën gjyqësore.  

Në përgjithësi, Etleva Malushaj, Koordinatore e Projektit, RrGK, tha se ky trajnim është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ndihmon në informim më të thellë të grave lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës ne BE, duke nënvizuar rolin e tyre dhe mundësitë e rritjes së angazhimit të tyre ne këtë proces.  

“Pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile e posaçërisht e grave në procesin e anetarësimit të Kosovës në BE është e domosdoshme dhe ndihmon në integrimin e çështjeve gjinore në dokumentet vitale që lidhen me këtë process”, thotë Malushaj.

Përfaqësueset e organizatave anëtare të RrGK-së diskutuan rreth asaj se si të avokojnë për ndryshim dhe rreth procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht nga perspektiva gjinore.

Ato ndanë përvojat e tyre dhe planet e ardhshme në lidhje me zbatimin e legjislacionit të BE-së në kontekstin e Kosovës.

“Në emër të EWLA-së do të doja të theksoja se jemi shumë krenare dhe të lumtura që jemi duke bashkëpunuar me RrGK-në. Na ka lënë shumë përshtypje përkushtimi i madh i pjesëmarrësve në punëtori, kjo për të bërë Kosovën një vend të qëndrueshëm si dhe vend me një të ardhme më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme”, tha Katharina Miller, EWLA.

Kurse, Sylvia Cleff le Divellec shtoi: “Është një përvojë shumë e mirë dhe frymëzuese për të gjetur zgjidhje së bashku dhe për të promovuar dhe zbatuar barazinë gjinore në Kosovë”.

Këto punëtori janë mbajtur në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.