Më 13 qershor 2025, në kuadër të projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për të rritur qasjen në mbrojtje sociale cilësore për gra dhe burra të ndryshëm”, i mbështetur nga Programi i BE-së për Shoqëri Civile (EU CSF), u mbajt punëtoria me temë: “Shërbimet Sociale: legjislacioni i mbrojtjes sociale, të drejtat dhe mënyra e paraqitjes së ankesave.”

Kjo punëtori, e mbajtur në ambientet e Rrjetit të Grave të Kosovës, kishte për qëllim fuqizimin e njohurive dhe kapaciteteve të organizatave partnere, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës – OPDMK dhe Ruka Ruci, si dhe të mobilizuesve të tyre lokalë. Ajo ofroi edukim, mbështetje dhe mentorim mbi: Legjislacionin për mbrojtje sociale, të drejtat që burojnë nga ky legjislacion, procedurat për paraqitjen e ankesave në rastet e shkeljes së këtyre të drejtave
Aktiviteti kontribuoi drejtpërdrejt në arritjen e një prej rezultateve kyçe të projektit: “Rritja e kapaciteteve të OJQ-ve për të mbështetur dhe përfshirë gratë e ndryshme në informimin dhe monitorimin e reformave në mbrojtje sociale.”
Punëtoria u udhëhoq nga Prof. Ass. Dr. Avdyl Gashi nga Departamenti i Punës Sociale në Universitetin e Prishtinës dhe Avokati Fitim Gashi, të cilët ndanë njohuritë dhe përvojën e tyre mbi kuadrin ligjor që rregullon shërbimet sociale dhe familjare në Kosovë. Gjatë sesioneve interaktive, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen më thellësisht me Ligjin Nr. 08/L-255 për Shërbime Sociale dhe Familjare, të diskutojnë për parimet themelore të ofrimit të shërbimeve sociale dhe të mësojnë mbi mekanizmat e ankimimit.
Ky angazhim i përbashkët kontribuon në forcimin e rolit të shoqërisë civile në zbatimin dhe mbikëqyrjen e reformave në mbrojtjen sociale, me synimin që asnjë grua apo burrë të mos mbetet pas në qasjen ndaj të drejtave themelore sociale.