Mbrojtëset e ndryshimit: Pse OJQ-të janë më të rëndësishme se kurrë?

Për dekada, organizatat joqeveritare (OJQ) në Kosovë kanë qenë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë, qeverisjes së mirë dhe drejtësisë sociale. Ato kanë mbushur boshllëqet atje ku institucionet shtetërore kanë dështuar, duke siguruar që drejtësia, ndihma dhe mbështetja të arrijnë te personat që kanë më shumë nevojë. OJQ-të kanë luajtur rolin e mbikëqyrëses, duke u siguruar që proceset demokratike të respektohen dhe që qeveria të mbetet e përgjegjshme ndaj qytetareve dhe qytetarëve që duhet t’i shërbejë.

Arritjet e OJQ-ve në Kosovë janë të pamohueshme. Falë përpjekjeve të palodhshme të organizatave si Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe 139 organizatat anëtare të saj, janë miratuar ligje të rëndësishme që mbrojnë gratë nga dhuna, ndërsa shërbime si mbështetja psikologjike, ndihma juridike dhe strehimi janë vënë në dispozicion të grave dhe fëmijëve të mbijetuar të dhunës. Vetëm për të përmendur disa shembuj, RrGK ka ofruar këshillim dhe ndihmë juridike për më shumë se 117 gra të mbijetuara të dhunës dhe, së bashku me anëtaret, ka mbështetur më shumë se 335 gra në realizimin e të drejtave të tyre mbi pronën dhe trashëgiminë, duke ndihmuar gratë të kenë qasje në drejtësi. Ndërkohë, OJQ-të kanë shtyrë përpara të drejtat e punës, ligjet kundër diskriminimit dhe kanë ndikuar mbi 109 ligje dhe politika që adresojnë nevojat e ndryshme të grave dhe burrave, duke përfshirë mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Pse OJQ-të janë më të rëndësishme se kurrë?

Për ata që dyshojnë në rëndësinë e OJQ-ve, le të reflektojmë: Kush ofron shërbime kur institucionet shtetërore dështojnë të mbrojnë të mbijetuarat e dhunës në familje apo dhunës seksuale? Kush siguron që ligjet dhe politikat të mos mbesin vetëm fjalë në letër, por të zbatohen dhe të respektohen? Kush kryen hulumtime për të informuar këto ligje, bazuar në nevojat reale të grave dhe burrave? Kush takohet me gra të ndryshme në komunitetet e tyre për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’i adresuar ato tek institucionet? Kush sjell vëmendjen ndërkombëtare ndaj padrejtësive lokale?

OJQ-të e bëjnë këtë.

Ato ofrojnë shërbime jetike—nga strehimoret emergjente për të mbijetuarat e dhunës në familje, te avokimi për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ dhe mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara. Ato mobilizojnë ndihma humanitare, edukojnë gjeneratat e reja mbi të drejtat e njeriut dhe monitorojnë veprimet e qeverisë për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie. Ato ndërtojnë ura paqeje përtej kufijve fizikë dhe të tjerë.

Mbi të gjitha, OJQ-të mbrojnë demokracinë. Kur shoqëria civile dobësohet, dobësohet edhe vetë struktura demokratike e një shteti. Një botë pa OJQ të forta është një botë ku pushteti mbetet pa kontroll, ku zërat e margjinalizuar heshtën dhe ku të drejtat e fituara mund të cenohen pa rezistencë.

Lufta për mbijetesë

Shkurtime të fundit në financimin e shoqërisë civile, veçanërisht të organizatave për të drejtat e grave, kanë goditur rëndë disa OJQ në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke vënë shumë prej tyre në rrezik. Pas statistikave të humbjeve financiare, fshihen pasoja reale për njerëzit: gra që nuk kanë mundësi të marrin ndihmë juridike për t’i shpëtuar dhunuesve të tyre, aktiviste të cilat përballen me lodhje të skajshme nga mbingarkesa e punës dhe organizata që nuk mund të kontribuojnë në reformat kyçe legjislative për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe financiare.

Sfida të tjera janë shkaktuar nga pezullimi i fundit i financimeve nga SHBA-të dhe ndikimi i tij në OJQ-të në Kosovë, një temë e cila u diskutua sot në një ngjarje të organizuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë, me pjesëmarrjen e ambasadorit Aivo Orav. Nicole Farnsworth, Zëvendësdrejtore dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK, mori pjesë në panelin e diskutimit, i cili u mbajt me rastin e Ditës Botërore të OJQ-ve.

“Do t’ia dalim. Do të mbijetojmë,” tha Farnsworth, duke reflektuar mbi reduktimin e financimit për organizatat e grave. “Ne jemi aktiviste. Por thjesht, këto shkurtime na e vështirësojnë jetën dhe na kufizojnë kohën për të mbikëqyrur qeverinë, për të analizuar çdo ligj që miratohet, për të parë nëse dikush po përpiqet të fusë ndonjë fjali që do t’i dëmtonte të drejtat e grave…”

Farnsworth shprehu shqetësimin për ndikimin e këtyre shkurtimeve te organizatat më të vogla që nuk kanë burime të tjera financiare. “Ajo që na shqetëson më shumë është ndikimi mbi organizatat partnere, ato që supozohej të punonin bashkë me ne,” tha ajo, duke theksuar sfidat me të cilat përballen organizatat e grave që punojnë me komunitetet rome, ashkalie dhe egjiptiane, ofrojnë ndihmë juridike për të mbijetuarat e dhunës dhe mbështesin gratë me aftësi të kufizuara.

Megjithatë, shoqëria civile në Kosovë nuk po dorëzohet. Aktiviste dhe organizata po solidarizohen për të mbështetur njëra-tjetrën, po bashkëpunojnë përtej kufijve dhe po sfidojnë politikat regresive, duke refuzuar të lejojnë që përparimi i arritur ndër vite të zhbëhet.

Në Ditën Botërore të OJQ-ve, është e rëndësishme të kuptojmë se mbështetja për OJQ-të nuk është bamirësi—është një investim në demokraci, drejtësi dhe një të ardhme më të barabartë.