Medica Kosova ndihmon fëmijët që kanë përjetuar traumë ose dhunë gjatë izolimit

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Medica Kosova, më 8 korrik ka përfunduar ciklin e parë të trajnimeve me mësimdhënësit e shkollave fillore të ciklit të ulët e të mesëm të komunës së Gjakovës. Aktivistët kanë organizuar këtë trajnim në kuadër të nismës “Ngritja e kapaciteteve në sistemin arsimor fillor në Gjakovë për trajtimin e fëmijëve/nxënësve që janë viktima të dhunës, abuzimit apo vuajnë nga pasojat e COVID -19”.

Iniciativa e tyre ka për qëllim identifikimin e fëmijëve të cilët kanë përjetuar dhunë, abuzim apo traumë gjatë masave të izolimit si pasojë e pandemisë. Ata kanë mbajtur trajnime me drejtorë të shkollave, zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit dhe me prindër se si të identifikojnë shenjat e dhunës, për të komunikuar me nxënësit për traumat dhe procedurat se si të raportohen ato.

Medica Kosova gjithashtu i ka mësuar nxënësit se si të menaxhojnë emocionet e tyre, komunikimin dhe rritjen e vetëvlerësimit, stimulimin e fantazisë, dhe përmirësimin e aftësive të përqendrimit.

Organizata ka punuar ngushtë me Drejtorinë e Arsimit e cila ka marrë leje për këto aktivitete. Në bashkëpunim me drejtorët e gjashtë shkollave, Medica Kosova ka bërë përzgjedhjen e fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje. Sipas juristes së Medica Kosova, Arbnore Shehu- Bunjaku këtu përfshihen “fëmijët që janë më hiperaktivë.”

Pastaj, psikologia e Medica Kosova për dy javë ka organizuar aktivitete me këta fëmijë.

“Ajo ka vizituar shkollat çdo ditë dhe nga një orë e gjysmë i ka mbajtur aktivitetet sipas planit javor të punës”, u shpreh ajo.

Psikologia e “Medica Kosova”, Fatjona Karakushi, ka shpjeguar se pjesë e aktiviteteve me fëmijë janë art-terapia, muzikë-terapia dhe dramë-terapia.

“Seancat kanë filluar të mbahen dhe ka shumë rezultate të mira. Fëmijët kanë filluar të jenë më të lirshëm, më socialë, ka fëmijë që e kanë larguar ankthin për të folur para masës. Me anë të aktiviteteve të art terapive kanë nisur të mësojnë se si t’i respektojnë emocionet e veta, të dinë se si t’i vizatojnë e si t’i shprehin emocionet e tyre, si të bashkëndjejnë me njëri-tjetrin, si ta respektojnë tjetrin kur e ka një emocion të keq ose një ndjenjë që ai e ka të nevojshme ta ndajë me dikënd”, tha Karakushi.

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.

Nëse dëshironi të mbështesni punën e ardhshme të RrGK-së dhe organizatave anëtare të saj, duke përfshirë mbështetjen e fëmijëve që kanë përjetuar dhunë, për të përmirësuar kapacitetet e sistemit arsimor për të mbështetur fëmijët si dhe punën e përgjithshme të RrGK-së për të përmirësuar mësimdhënien në mënyrë që të transformohen normat tradicionale gjinore dhe marrëdhëniet brenda shkollave, mund të bëni donacion te RrGK përmes linkut: https://womensnetwork.org/donate/.