Me 14 mars u mbajt punëtoria për institucionalizimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në Ministrinë e Diasporës (MeD) nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK). Në këtë punëtori ishin pjesëmarrës drejtorë/e dhe zyrtarë/e të Ministrisë, të cilët u njoftuan me konceptet bazike të BPGj, shembuj të zbatimit të BPGj dhe mënyra të integrimit të perspektivës gjinore në fazat e planifikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxhetit. MeD është ministria e dytë për këtë vit, me të cilën RrGGK po bashkëpunon për të shtyrë përpara institucionalizimin e BPGj-së në Kosovë.
Osman Shahini, Sekretar i Përgjithshëm në MeD, në fjalën hyrëse tha: “Mendoj se barazia gjinore është sfidë familjare dhe institucionale. Barazia gjinore është luftë e përditshme. Kur vjen radha te statistikat, nuk na del përqindja 50 me 50, e që në fakt duhet të jetë kështu. Mendoj që ne duhet të bëjmë diçka në këtë drejtim. Unë ju falenderoj për gatishmërinë dhe jemi të gatshëm për takime për të biseduar më tutje për këtë temë. Gjithçka është në dorën tonë nëse dëshirojmë t’i bëjmë gjërat më mirë”.
Gjatë kësaj punëtorie, mes të tjerash, u diskutua edhe përfaqësimi ulët i grave në pozita vendimmarrëse dhe se si mund të punohet më shumë në këtë drejtim. Behar Isma, u.d. Drejtor i Departamentit Ligjor u shpreh: “Në nivelin e pagës 600€+ përfshirja e grave është në një numër të vogël ndërsa në pozitat e mesme dhe të ulëta kemi një përfshirje më të lartë të grave. Ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në këtë çështje por po ashtu ka mundësi të ndryshohet dhe të rritet numri i grave në pozita vendimmarrëse”.
Gjatë pjesës së dytë të punëtorisë pati diskutime interactive mes drejtorëve/eve dhe zyrtarëve/eve të Ministrisë. Ata shprehen gatishmërinë e tyre përmes ideve të ndryshme për integrimin e BPGJ-së në punën e tyre të përditshme për një barazi gjinore në Ministrinë e tyre dhe në mbarë diasporën.
Përkrahja që ofron RrGGK për MeD financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).