Sot me 25 mars, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti punetorinë me përfaqesues të departamenteve dhe divizioneve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), si hap të parë drejt rrugës së institucionalizimit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) në këtë ministri.
Në këtë punëtori, zyrtarët e MMPH-së patën rastin të njihen me metodologjinë praktike të implementimit të BPGJ-së në punën e tyre, duke qenë se kjo perspektivë që nga viti 2015, ka edhe baza të forta ligjore, përmes Ligjit për Barazi Gjinore 05-L/0-20.
“Politikat duhet të adresojnë barazi. Ne duhet të bazohemi në evidencë gjatë hartimit të këtyre politikave. Hapi i parë duhet të jetë vendosja e sistemeve që fokusohen në barazi gjinore përgjatë përpilimit të këtyre politikave” – tha mes të tjerash, në fjalën e tij hyrese Sekretari i Përgjithshëm, z. Arben Çitaku.
Donjeta Morina, Koordinatore për Zhvillim të Kapaciteteve në RrGGK shpjegoi se gjatë hartimit të buxhetit dhe shpërndarjes së shpenzimeve publike nuk duhet të mendojmë në koncept të qytetarëve në përgjithësi, por më shumë në nevojat e tyre specifike. Ajo tha se duhet t’i analizojmë këto nevoja dhe prioritete që dallojnë mes grave, vajzave, burrave dhe djemve.
Gjatë vazhdimit të punëtorisë, zyrtarëve/ve i’u dha mundësia që të marrin pjesë në diskutim dhe dhënie të ideve, se si mund të tregohen më konkret në lidhje me masat që mund t’i marrin për të perfshirë perspektivën gjinore në punën e tyre, për divizionet dhe departamentet përkatese.
Kështu, udhëheqësja e Divizionit të Planifikimit Hapësinor, znj. Suzana Goranci, dha disa ide mjaft specifike në fushën e shëndetësisë dhe sportit. Kurse, drejtori i Divizionit të Mbrojtjes së Natyrës, divizion ky që i përket Departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit, tha se ky Departament e respekton barazinë gjinore përsa i përket përqindjes së të punësuarve, dhe kjo pasqyron gjendjen e përgjithshme në ministri. Z. Ismail Hetemaj më tutje u shpreh: “Esenca e arritjeve tona si shoqëri, duhet të jetë tentimi për barazi gjinore që nga planifikimi dhe monitorimi, deri te ndjekja e ligjit që të mos devijojmë. Posaërisht, në shoqerinë ku po jetojmë duhet të kemi parasysh në çdo plan që hartojmë, punësimin e gruas.”
Në përmbyllje, u treguan hapat e tjerë që do merren në vazhdimin e rrugëtimit për implementim të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor dhe se si RrGGK-ja mund të ndihmojë, përmes takimeve të ardhshme që do i zhvillojë me zyrtarë të departamenteve dhe divizioneve të kësaj ministrie.
Kjo punëtori u mbështet nga “Partneriteti për Zhvillim”, projekt i USAID në Kosovë.