Monitorimi i Barazisë Gjinore në Shpenzimet Publike në Kosovë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka publikuar raportin “Monitorimi i alokimeve dhe shpenzimeve financiare për programet e përgjegjshme gjinore në Buxhetin e Kosovës për vitin 2024.” Raporti shqyrton nëse shpenzimet publike në Kosovë po kontribuojnë në barazinë gjinore, siç kërkohet nga Ligji për Barazi Gjinore. Ai analizon alokimet dhe shpenzimet financiare për barazinë gjinore dhe programet e përgjegjshme gjinore, duke identifikuar sektorët dhe programet që kanë marrë financim për të adresuar pabarazitë gjinore. Po ashtu, ai thekson sfidat që lidhen me disponueshmërinë dhe përdorimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë, si dhe pengesat strukturore që e bëjnë të vështirë ndjekjen dhe vlerësimin e ndikimit të shpenzimeve në arritjen e rezultateve të barazisë gjinore.

RrGK i bën thirrje Ministrisë së Financave që të institucionalizojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor duke ndryshuar Ligjin për Financat Publike, Ligjin për Financimin e Pushtetit Lokal dhe Ligjin për Prokurimin Publik; duke integruar analizën gjinore, objektivat, treguesit, bazat fillestare dhe caqet në të gjitha proceset dhe sistemet buxhetore; duke forcuar objektivat, kapacitetet dhe modelet e PFMS; si dhe duke publikuar Deklaratat e Buxhetit Gjinor dhe anekset e BPGj. Në nivel komunal, RrGK kërkon sigurimin e financimit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për barazinë gjinore, përfshirë burime dhe paga për Zyrtarët për Barazi Gjinore, si dhe përfshirjen e tyre sistematike në të gjitha proceset e planifikimit, buxhetimit, zbatimit, monitorimit dhe raportimit.

Lexoni raportin këtu.

Ky raport financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Suedia, përmes Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetimit Gjinor.