Naš Dom dhe QGZHR avokojnë për krijimin e kushteve të favorshme për zhvillim ekonomik të grave

Shoqata e Grave (UDZ Naš Dom) së bashku me Qendrën e Grave për Zhvillim Rural (QGZHR), nga nëntori 2019 deri në shtator 2020, mbajtën takime në pesë komuna (Novobërda, Ranilug, Gračanica, Partesh, Kllokot) me qëllim të finalizimit të Planit të Veprimit dhe të shkëmbimit të mendimeve mbi potencialet e grave sipërmarrëse.

Këto takime u realizuan në kuadër të nismës “Partneriteti për zhvillim (i mjedisit miqësor për zhvillim) të ndërmarrësisë së grave”, mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Gratë u mblodhën për krijimin e mekanizmave dhe adaptimin e mjeteve për të mbështetur dhe krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në nivelin lokal. Nga këto aktivitete, dy organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) gjetën se asnjë nga këto komuna nuk përfshijnë komponentin gjinor në planifikimin e buxhetit.

Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga UDZ Naš Dom, në Makresh të Epërm me 30 shtator, u diskutuan problemet me të cilat përballen gratë, rekomandimet për institucionet lokale, si dhe nismat për mbështetjen e sipërmarrjes së grave në komunat e lartpërmendura. 

“Nga numri i përgjithshëm i bizneseve të regjistruara në  emër të grave, vetëm 3% janë në të vërtetë në pronësi të grave (nga 2,5 deri 5%, varësisht nga komuna)”, tha Vesna Stajic, Drejtore e UDZ Naš Dom, duke shtuar se “asnjë nga pesë komunat nuk ka masa nxitëse të destinuara për zhvillimin e sipërmarrjes së grave”. 

This image has an empty alt attribute; its file name is IMG_1238-1024x683.jpg

Gjatë dhjetë muajve të zbatimit të projektit, UDZ Naš Dom dhe QGZHR gjithashtu avokuan edhe tek institucionet lokale me rekomandimet e dalura nga takimet me gratë. 

Rekomandimet janë si në vijim:  

  1. Përmes rregulloreve të inkurajojnë dhe motivojnë pjesëmarrjen e grave në mekanizmat e identifikimit dhe propozimit të prioriteteve (këshillave lokalë të fshatrave, grupeve punuese, komisioneve profesionale) në përqindjen që parasheh Ligji për Barazi Gjinore (50%)
  2. Të futet komponenti gjinor në propozimin e buxhetit për vitin e ardhshëm 
  3. Të futen lehtësimet në regjistrimin dhe pagesën e tatimit për bizneset fillestare të grave, të planifikohen subvencionet për zhvillim të bizneseve të grave 
  4. Planifikimi në nivel lokal dhe krijimi i shërbimeve sociale  (kopshte, çerdhe, ndihma dhe kujdesi në shtëpi për të moshuar dhe të sëmurë) në komunitet që u përgjigjen nevojave të grupeve të cenuara, përfshirjes së tyre më të madhe sociale dhe përmirësimit të cilësisë së jetës  
  5. Të gjendet zgjidhja për krijimin e transportit lokal brenda komunave së bashku me palët e interesuara – bizneset lokale dhe qytetarët 
  6. Të emërohet një ekip ekspertësh nga drejtoritë përkatëse që do të punojnë në përgatitje e zhvillimit lokal ekonomik, që do të përfshinte projektet që do të angazhonin gratë  
  7. Të emërohet një ekip ekspertësh nga drejtoritë përkatëse  për ngritjen e kapaciteteve të grave të interesuara në treg të punës në fushën e punësimit dhe vetëpunësimit  
  8. Të sigurohet hapësira për hapjen e Inkubatorit të biznesit për bizneset fillestare, që do të mobilizonte dhe inkurajonte gratë të marrin pjesë në ekonomi.

Ndërkaq, Shefkije Mehmeti, Drejtore e QGZHR ndër të tjera prezantoi edhe rekomandimet e mbledhura për OJQ-të lokale të grave, OSHC të grave dhe grupet e grave: 

  1. Të informohen gratë për përparësitë e regjistrimit në tregun e punës 
  2. Të informohen qytetaret për ligjet aktuale dhe të drejtën e tyre për punë dhe punësim, arsimim (si për të drejtat e tjera të rregulluara me ligj), si dhe për mekanizmat dhe mjetet me të cilat mund të luftojnë për të drejta e tyre  
  3. Të fokusohen aktivitetet/fushatat e avokimit në futjen e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGj) në buxhetet lokale, që do të nxiste zhvillimin e sipërmarrjes së grave, hapjen e sipërmarrjeve sociale, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen e grave. Poashtu, të ketë informim të konsumatorëve për përfitimet e prodhimit të produkteve organike ,   
  4. Të fokusohen aktivitetet në rritjen e numrit të grave në pozita vendimmarrëse 
  5. Të bëhet monitorimi i planifikimit dhe shpenzimit të buxheteve lokale; Analizat t’u dorëzohen institucioneve relevante dhe të publikohen për publik 
  6. Të miratohen planet e veprimit për Rrjetëzimin e tre sektorëve (publik, civil dhe ekonomik) me qëllim krijimin e një mjedisi të favorshëm  për zhvillimin e sipërmarrjes së grave 
  7. Të punohet në motivimin e individëve ose personave juridikë (shoqatat e bizneseve, OSHC, grupet) për rrjetëzimin, që thekson rolin e sipërmarrjes së grave në komunitet, dalja e përbashkët në treg si dhe fillimi i sipërmarrjeve sociale. 
  8. Të rritet dukshmëria e sipërmarrjes së grave përmes ngjarjeve të organizuara.