Me 23 shtator, Shoqata e të Verbërve dhe me të Pamur të Dobësuar në Rahovec,organizoi takimin e pestë në kuadër të projektit“Vetëdijësim rreth përkrahjes dhe mbështetjes së personave të verbër dhe personave me të pamë të dobësuar”, ku përveç personave të verbër dhe me të pamur të dobësuar e familjarëve të tyre, morrën pjesë edhe ligjeruesit Halil Kurmeha, Florije Kafegjiu, Goneta Mustafa dhe përfaqësueset nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Personat e verbër dhe me të pamur të dobësuar përballen me shumë vështirësi dhe në të shumtën e rasteve jetojnë në kushte ekonomiko-sociale mjaft të vështira. Shpesh herë, pasi që nuk janë të informuar për të drejtat e tyre mbesin edhe pa kryer kontrolla mjekësore dhe punë të tjera të cilat janë esenciale për mirëqenien e tyre. Andaj, pikërisht për këto arsye, z. Halil Kurmeha bëri një shpjegim të detajuar të ligjit për persona të verbër, me fokus të veçantë në të drejtat dhe detyrat e tyre.
“Ndonëse Ligji Nr. 04/L – 092 për personat e verbër, është miratuar në qershor të vitit 2012, ky ligj nuk zbatohet si duhet dhe personat e verbër përballen me vështirësi tejet të mëdha,” u shpreh z. Kurmehaj.
Ndërkaq, njëra nga të pranishmet, që ishte ndër personat e verbër, duke folur për mos-zbatimin e ligjit shtoi se kjo ndoshta ndodh pasi që “nuk i kanë pasur të njohura të drejtat e tyre dhe nuk kanë mundur të kërkojnë ndonjë shërbim, e tani mësuam për këto të drejta dhe do t’i kërkojmë.”
Më tutje z. Kurmehaj foli me theks të veçantë edhe për benificionet që u takojnë personave të verbër, si barna dhe shërbime shëndetësore falas; lirimi nga taksat dhe shërbimet tjera admininistrative-komunale; lirimi nga pagesa e rrymës në rast se jetojnë me ndihmë sociale; si dhe lirimi nga 50% e pagesës për bileta të autobusit.
Në këtë takim u fol edhe për faktin se si një problem mjaft të madh e paraqet edhe numri i ulët i personave të verbër të cilët përfundojnë shkollimin dhe dhe numri i ulët i personave të verbër të cilët janë të punësuar, përkundër faktit se çdo i pesëdhjeti person i punësuar duhet të jetë me aftësi të kufizuara.
Poashtu, u fol edhe për shëndetin e këtyre personave, ku zn. Florije Kafegjiu theksoi se “personat e verbër duhet të kenë një kujdes mjaft të madh sa i përket shëndetit të tyre, me ç’rast për këtë kujdes duhet të kushtojnë edhe familjarët e tyre që personat e verbër t’i kryejnë me kohë kontrollet dhe marrjen e barnave, sipas përshkrimit të mjekut, që të ulin rrezikun e prekjes së këtyre personave nga sëmundje të ndryshme.”
Në vazhdim, zn. Goneta Mustafa foli për kategorizimin e personave të verbër dhe me të pamur të dobësuar.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës si dhe është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.