Nexhmije Pagarusha, “Mbretëresha e këngës shqipe”, që motivoi dhe fuqizoi vajzat e gratë

“Bilbili i Kosovës,” “Mbretëreshë e këngës shqipe”, “Madam Butterfly”. Me këto epitete njihej gruaja që rrëzoi mite e theu tabu  duke u ngritur në piedestalin e skenës së muzikës dhe teatrit. 

Është kjo Nexhmije Pagarusha, që përvec që la gjurmë ne kulturë e muzikë duke lënë pas vetes plot 88 këngë e 5 albume, me guximin dhe veprat e saj motivoi dhe fuqizoi vajzat dhe gratë në Kosovë ndër vite. Ndërsa mahniti edhe publikun në Shqipëri.

“E mbaj në mend në koncert, jo zëri, jo interpretimi, po aura, aura e saj më mbërtheu. Unë shoh Nexhmijen të dubluar nga një rreze që kishte përgjatë gjithë koncertit, unë i shikoja gjithë rrezet që i lëshonte, pra trupi i saj, qenia e saj ishte e mbushur dhe e rrethuar me këtë aurë,” ka kujtuar artistja e shquar shqiptare, Inva Mula, koncertin e viteve të ’70-ta të Nexhmije Pagarushës në Tiranë.

Në vitin 2015, Rrjeti i Grave të Kosovës i ndau zonjës Nexhmije mirënjohjen për “Guximin dhe veprat të cilat kanë motivuar dhe fuqizuar vajzat dhe gratë në Kosovë”.

Dhe kjo me të drejtë. Në kohën kur këngëtarja zuri fill këndimin, është paragjykuar nga shumë njerëz. Me mbështetjen e familjes, ajo nuk u  dorëzua, por vazhdoi shkollimin dhe jetën artistike, duke motivuar shumë gra e vajza që të mos lënë ëndrrat e tyre në gjysmë.

Ajo, së bashku me Katerina Josipin dhe Meribane Shalën ishin ndër aktoret e para në vend që kishin shkelur skenën e Teatrit.

“Dhe unë isha ndër femrat e para që u inkuadruam me role në teatër. Për mua ka qenë një shkollë e madhe Teatri dhe ka ndikuar në jetën time shumë, si në disciplinë në punë e shumë gjëra tjera,” kishte thënë zonja Nexhmije në një intervistë për një televizion të Kosovës.

Ajo karrierën e saj muzikore e kishte nisur më 1948 në Radio Prishtinë. Kënga “Baresha” konsiderohet si një nga kryeveprat e interpretimeve të saj. Por, zonja Nexhmije interpretoi edhe në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Ajo që flitej dhe u kishte mbetur peng njerëzve që nuk e kishin dëgjuar në koncert këngëtarën e madhe, ishte se asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert!

Nexhmije Pagarusha kishte përmbyllur karrierën e saj si këngëtare aktive më 1984 në një koncert në Sarajevë. Por, në vitin 2000, pas 16 vjetësh mungesë në skenë, ajo u rikthye duke kënduar për mediat shqiptare këngën “Për ty”.

Mirënjohjet e çmimet për bilbilin e Kosovës janë të panumërta. Më 2018 ajo u vlerësuar me Medaljen e Mirënjohjes nga presidenti amerikan Donald Trump, propozuar nga një Akademi në Florida; Presidenca Shqiptare e kishte nderuar atë me titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa presidenca e Kosovës me çmimin “Artiste e Merituar”.

Mikja e ditëve të fundit e kujton zonjën Nexhmije si një grua që e “karakterizonte bukuria, dashuria dhe afërsia me njerëzit.” Flora Durmishi ndau me zonjën Nexhmije hapësirat e punës në RTK, ku Nexhmije Pagarusha ishte këshilltare e programit muzikor në Radio Kosovë.

“Zakonisht, pas vdekjes, pothuajse të gjithë flasin mirë, por Nexhmija, edhe në gjallje të saj, përjetoi famën dhe respektin e të tjerëve.”

“Do të doja të bëhet një muze me gjërat e saj, fotografitë, regjistrimet, filmat, koncertet nëpër botë, veshjet karakteristike të paraqitjeve skenike. Ende mund të gjinden te familja ose te miqtë e mikeshat e saj! Ose, pse jo, një shtëpi muze të gruas artiste!, thotë Flora Durmishi.

Nexhmije Pagarusha u shndërrua në një ikonë të ndjeshmërisë absolute. Ajo lindi në Pagarushë në vitin 1933 dhe ndërroi jetë në Prishtinë në vitin 2020.