OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” informon nxënësit në Gjilan për pasojat e trafikimit

OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” informon nxënësit në Gjilan për pasojat e trafikimit

 Me 11 qershor, nxënësit e klasës së tetë dhe të nëntë të shkollës “Selami Hallaqi” në Gjilan, patën mundësinë të informohen dhe të diskutojnë për trafikimin e njerëzve. Ky aktivitet u organizua në kuadër të iniciativës “Parandalimi i Trafikimit me Qenie Njerëzore”.
    Trajnuesja, Linda Bllaca i informoi me shumë se 40 nxënës për profilet e trafikuesve që ata të kenë kujdes dhe të munden ti identifikojnë në kohë këto raste të trafikimit me njerëz.  Ajo gjithashtu foli edhe për mënyrat e “rekrutimit” të njerëzve të cilat shpeshherë bëhen nëpërmjet premtimeve për sigurim të punës jashtë shtetit, martesë jashtë shtetit, mashtrime nga shoqëria etj. Personat që trafikohen më së shpeshti janë gratë dhe fëmijët. 
Nxënësit treguan më shumë interesim për pasojat e personave që trafikohen dhe për ndëshkimet penale për trafikuesit. Me këtë rast, ata diskutuan për ligjet dhe dokumentet ndërkombëtare kundër trafikimit me qenie njerëzore. Karta e të Drejtave Fundamentale e Bashkimit Evropian është një prej dokumenteve më të rëndësishme në nivel Evropian. Ndërsa në Kosovë, trafikimi i njerëzve ndalohet dhe dënohet me nenin 28, të Kushtetutës së Kosovës; Rregulloren për Ndalimin e Trafikimit me Njerëz dhe Kodin Penal i cili ekziston prej vitit 2004. 
  “Fatkeqësisht deri më tani nga të dhënat që i posedojmë me këto çështje janë marrë më shumë organizata ndërkombëtare se institucionet tona,” tha trajnuesja Linda Bllaca.
Gjatë kësaj punëtorie u shfaq edhe një film i metrazhit të shkurtër, i titulluar “Errësira e Shpirtit”. Të motivuar nga ligjëratat që i ka organizuar kjo organizatë, nxënësit shfaqën dëshirën të xhirojnë një film vetëdijësues për trafikim e njerëzve. Në bashkëpunim me stafin e organizatës “Psikoterapeutët në Veprim” ata kanë xhiruar një film të shkurtër bazuar në ngjarje të vërtetë. Me shfaqjen e këtij filmi, nxënësit u njoftuan edhe një herë për pasojat e trafikimit.
   Ligjerata përfundoi me mesazhin e trajnueses Linda Bllaca, e cila shtoi se “nëse hetojmë ndonjë rast të trafikimit, të informojmë policinë, OJQ-të, dhe mediat. Në të njëjtën kohë duhet të mundohemi të mos i paragjykojmë personat të cilat kanë qenë të trafikuar po t’i pranojmë ata përsëri në shoqërinë tonë duke iu ofruar mbështetje.”
Kjo iniciativë u mbështet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) me shumën prej 2,520€ dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.