OJQ Bliri nxjerr rekomandime për qasjen e grave në shërbime gjinekologjike 

Të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë thelbesore për çdo njeri. Shërbimet gjinekologjike dhe shëndeti riprodhues luajnë rol kyç në shëndetin e popullsisë e të grave në veçanti. Ligji për shëndetësi parasheh që të gjithë qytetarët kanë të drejtë për qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor. Por, në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes rreth shëndetit reproduktiv tek të rinjtë” të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe përkrahur nga Rrjeti i Grave të Kosovës, OJQ Bliri, ka zhvilluar një anketim me rreth 100 gra nga komuna e Drenasit për qasjen e grave në shërbime gjinekologjike gjatë pandemisë COVID-19.

Në bazë të dhënave nga ky hulumtim rezultuan se 22% e grave në komunën e Drenasit nuk kanë kryer kurrë kontrollë gjinekologjike, derisa 27% kanë kryer kontrollë gjinekologjike një herë në tre vjet dhe vetëm 37% e tyre del se kryejnë kontrolla rutinore gjinekologjike.

Ajo që ka rezultuar si shqetësuese është 62% e grave beqare të anketuara nuk kanë kryer asnjëherë kontrollë gjinekologjike, derisa vetëm 15% e grave beqare kryejnë kontrollë gjinekologjik një herë në tre vjet .

Kufizimet në lëvizje ka të ngjarë të kenë kontribuar në qasjen më të dobët në kujdesin shëndetësor për gratë që kanë më pak qasje në transport dhe në shërbime shëndetësore. Shërbimet gjinekologjike kanë qenë më të limituara ngase prioritet i personelit shëndetësor ka qenë trajtimi i pacientëve të infektuar me COVID-19.

Në bazë të të dhënave të hulumtuara del se në vitin 2020 reparti i gjinekologjisë kishte pranuar rreth 2 mijë vizita gjinekologjike më pak se në vitin 2019 para fillimit të pandemisë.

Vështirësitë kryesore për qasje në kontrollë gjinekologjike gjatë pandemisë Covid-19, ishte mungesa e mjeteve financiare 42 për qind, ndërsa 32% e të anketuarve thanë se ishte shkaktuar nga frika e infektimit me Covid-19.

Disa nga rekomandimet që janë nxjerrë nga gjetjet e hulumtimit, thuhet se masat e Qeverisë duhet të adresojnë pabarazitë e ndërthurura, siç janë nevojat e grave me aftësi të ndryshme, etnicitet, dhe ato në vende rurale. Kjo mund të bëhet përmes analizave të ndikimit gjinor si dhe përmes konsultimeve direkte me to.

Të rishikohen alokimet e tanishme të buxhetit në mënyrë që të prioritizohen në vitin tjetër buxhetor investimet në infrastrukturën shoqërore, duke përfshirë kujdesin shëndetësor me fokus shëndetin riprodhues, shërbimet e kujdesit, në veçanti për personat që përjetojnë dhunë, si dhe ambient i sigurt.

OJQ Bliri i ka kryer këto aktivitet në kuadër të Raundit të 17 të FGK, përmes nismës së Fondit të Grave të Kosovës i Rrjetit të Grave të Kosovës me titull “Ngritja e kapaciteteve dhe Qëndrueshmërisë së OSHC-ve tek Avancimi i Barazisë Gjinore gjatë pandemisë COVID-19” të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Më shumë detaje në lidhje me këtë publikim i gjeni këtu.