OJQ Bliri zhvillon takim avokues me Drejtoritë komunale të Drenasit

Më 8 nëntor organizata përfituese e Raundit të 17-të “Bliri” ka mbajtur takim avokues me Drejtorinë komunale të shëndetësisë dhe buxhetit në Drenas lidhur me rekomandimet e dala nga një analizë politikash që ka ndërrmarrë organizata.

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovë (RrGK) ka zhvilluar një anketim me rreth 100 gra nga komuna e Drenasit për qasjen e grave në shërbime gjinekologjike gjatë pandemisë COVID-19.

Gjetjet e anketimit janë shkruar në një përmbledhje politikash, të cilat u diskutuan edhe në takim. Sipas këtij anketimi del se 22% e grave në Drenas nuk kanë kryer asnjëherë kontroll gjinekologjik, për më tepër 62% e grave beqare nuk kanë kryer kurrë kontroll gjinekologjik.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas janë dy gjinekologë, por këto kapacitete nuk do të mjaftonin sikur gratë të kryenin kontrolla të regullta gjinekologjike. Sipas anketave problem i qasjes në kontrolle gjinekologjike është edhe transporti, duke pasur parasysh që fshatrat nuk kanë trafik urban që i lidh me zonën urbane.

Kreu i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arsim Haxhiu ka treguar se kapacitetet momentale janë të mjaftueshme për fluksin e kontrolleve gjinekologjike. Ai pranon se mentaliteti në Drenas u pamundëson grave kontrolle rutinore prandaj pajtohet me rekomadimin që duhet të punohet për të rritur vetëdijësimin për kontrolle rutinore.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe ndarja buxhetore për sektorin e shëndetësisë me ç’rast u theksuar se buxheti komunal gjatë pandemisë ishte dyfishuar. Por për përmirësim të situatës në shërbime shëndetësore komuna duhet të adresojë nevojën për transport publik.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në komunën e Drenasit, Shyqiri Bublaku tha se ata iu bëjnë thirrje gjithmonë grave që të marrin pjesë në dëgjime buxhetore, në mënyrë që buxheti t’i adresojë edhe nevojat e grave. “Ne jemi të hapur për bashkëpunime, ngase pjesëmarrja e grave në dëgjime buxhetore na lehtëson edhe neve punën”.

OJQ Bliri ka realizuar këtë aktivitet si përfituese e grantit të Raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.