OJQ Gruaja Hyjnore

Në rajonin e Gjilanit shumë gra janë të papunësuara. Pa punësim dhe pa të ardhura, gratë e kanë vështirë të marrin pjesë në vendim-marrje edhe brenda familjeve të tyre, të mos flasim për në sferën publike. Shumë gra gjithashtu nuk kanë njohuri në lidhje me të drejtat e tyre të trashëgimisë dhe të barazisë gjinore. 
     
Duke i njohur mirë sfidat që hasin gratë brenda komunitetit të tyre, OJQ-ja Gruaja Hyjnore është përcaktuar për edukimin e grave në
lidhje me të drejtat e tyre, si dhe mbështetjen e tyre në krijimin e të ardhurave për t’i fuqizuar ato ekonomikisht. Ato besojnë se duke i njohur të drejtat e tyre, si dhe me pavarësi më të madhe ekonomike, do të mund të fuqizohej pjesëmarrja e grave në vendim-marrje.
     
Edhe pse OJQ-ja Gruaja Hyjnore kishte operuar në mënyrë informale që nga viti 2005, ajo nuk mund të përballonte qiranë për zyre. Mbështetja nga Fondi të Grave të Kosovës (2,420€) iu mundësoi që të avokojnë me sukses në mënyrë që komuna e Gjilanit t’u sigurojë
hapësirë zyreje falas për aktivitetet e organizatës. Që nga maji i vitit 2013, komuna e Gjilanit ka siguruar një vend pa pagesë për përdorim
për këtë organizatë. Ky bashkëpunim me komunën i ka mundësuar OJQ- së Gruaja Hyjnore t’i zvoglojë shpenzimet e saj operative, duke kontribuar ndjeshëm në qëndrueshmërinë e organizatës. 
“Komuna e Gjilanit është duke u përpjekur t’iu kushtojë më shumë vëmendje të drejtave dhe interesave të grave, pasi që ne e dimë se roli i grave në shoqëri është i padiskutueshëm,” tha Omer Daku, Zëvendës Kryetar i Komunës së Gjilanit.
“Ne, si komunë, jemi duke u përpjekur të krijojmë më shumë hapësira për gratë në mënyrë që të veprojnë dhe të ndërmarrin më shumë aktivitete.”
     
Gruaja Hyjnore e përdor hapësirën e saj për t’i fuqizuar ekonomikisht gratë. Me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës, ato organizuan 10 punëtori për barazi gjinore, për të drejtat e grave në trashëgiminë e pronës, si dhe teknikat e përparuara në artin e punëdore
për 40 gra të moshës 25 deri 40 vjeç. 
“Aktivitetet e OJQ-së më kanë ndihmuar, si grua e pa arsimuar, që të shpët oj nga rutina e përditshme; Takoj gra të tjera; Shkëmbej përvoja; Marr pjesë në trajnime për teknika të reja të punimeve me dorë; I paraqes punimet e mia në ekspozita të ndryshme; dhe mbi të gjitha, të ndihem më e vlerësuar,” tha Alije Ajeti, pjesëmarrëse. “Diçka tjetër tepër e rëndësishme është se kam mundur t’i shes punimet e mia. Kështu kam mbështetur edhe familjen. Tani, edhe bashkëshorti më mbështet më shumë.”
     
Gruaja Hyjnore gjithashtu ka bashkëpunuar me strehimoren në Gjilan, duke i ftuar gratë të marrin pjesë në punëtoritë e saj. Kjo ishte një mundësi ekskluzive për gratë të cilat kanë përjetuar dhunë për të mësuar se si të bëjnë punime dore, të cilat më pas mund t’i shesin. Veç kësaj, leksionet mbi trashëgiminë e pronës dhe barazinë gjinore janë mjaft të dobishme. Ato kanë kërkuar që Gruaja Hyjnore të vazhdojë të organizojë aktivitete të ngjashme edhe në të ardhmen.
     
Përveç fitimit të njohurive për të drejtat e tyre, nëpërmjet kësaj nisme 36 gra kanë patur mundësi t’i shesin produktet e tyre në panaire. Katër gratë nga strehimorja e grave kanë fituar afërsisht 400 euro në total nga shitja e produkteve të tyre. Kjo nismë ka kontribuar në fuqizimin e grave, si nga ana ekonomike ashtu edhe në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes në procesin e vendim-marrjes në familje.