OMNES informon gratë për parandalimin e stresit dhe dhunës

Përgjatë vitit të kaluar Organizata për Hulumtime Juridike dhe Sociale – OMNES ka mbajtur trajnime në komunat e Ferizajt, Fushë Kosovës dhe Prishtinës me ç’rast 35 gra janë informuar për depresionin, stresin e dhunën në familje e shoqëri.

Përpos trajnimeve OMNES realizoi edhe një hulumtim me 70 gra dhe vajza për këto çështje, i kryer në kuadër të nismës “Avokimi institucional për mbrojtje nga dhuna dhe trajtimi i ndikimit të pandemisë COVID-19 në stres dhe depresion te gratë”.

Sipas Blerim Grudës, menaxher i projekteve në OMNES,  hulumtimi që ka zgjatur 2 muaj, janë mbajtur në tri komuna dhe kanë zgjatur nga pesë ditë.  Mbajtja e trajnimeve në formë fizike ka qenë një ndër alternativat që u është ofruar grave pjesëmarrëse, megjithatë, Gruda shpjegon se pjesa më e madhe e tyre kanë preferuar që ato të mbahen online.

“90 ose 95% e tyre kanë shprehur dëshirën që trajnimi të mbahet online për shkak se disa prej tyre ndoshta kanë pasur konfidenca ose thjeshtë nuk kanë dashur me u pa ose me u taku fizikisht. Pas këtyre takimeve fizike i kemi filluar trajnimet online. Por, edhe pse ka qenë trajnim online, anët pozitive janë sepse dikush ka mundur të pyes ose të tregojë histori pa u ekspozuar ose pa pasur kontakt fizik,” tha ai.

Hulumtimi i OMNES ka vënë në pah rritjen e rasteve të stresit e dhunës gjatë pandemisë COVID-19.

Hulumtimi tregon se në  periudhën Mars-Qershor 2019 janë raportuar 557 raste, ndërsa në periudhën Mars – Qershor 2020 janë raportuar 696 raste të dhunës në familje, apo 139 raste ma shumë.

Pas gjetjeve që u nxorën gjatë hulumtimit të tyre OMNES doli me gjithsej shtatë rekomandime të cilat sugjerojnë:

  • Të ngritet vetëdija tek shoqëria në parandalimin e dhunës ndaj grave, pasi që është i domosdoshëm ndryshimi i qëndrimeve dhe sjelljeve si tek meshkujt e po ashtu edhe tek gratë, sa i përket paragjykimeve dhe stereotipeve ndaj grave në mënyre që të parandalohet dhuna në familje;
  • Të sigurohet që masat për situata të tilla emergjente si pandemia COVID-19 të adresojnë pabarazitë e ndërthurura, siç janë nevojat e grave me aftësi të ndryshme, moshë, etnicitet, dhe ato në vende rurale;
  • Të angazhohet më shumë shoqëria civile, përfshirë OSHCG-të, në procesin e hartimit të masave për adresimin e COVID-19 në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë;
  • Të rishikohet plani i rimëkëmbjes në mënyrë që të prioritizohen investimet në infrastrukturën shoqërore, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, edukimin, shërbimet e kujdesit, shërbimet sociale, në veçanti për personat që përjetojnë dhunë, si dhe ambient i sigurt.
  • Të jetë viktima në qendër të gjitha politikave dhe se ndjekja penale ndaj kryesit duhet të vazhdojë edhe nëse tërhiqet viktima;
  • Të alokohen burime për programe rehabilituese të bazuara në prova, për të parandaluar dhunën në të ardhmen.
  • Të sigurohet disponueshmëria e banimit social që do të mund të shfrytëzohej për një periudhë kohore nga ana e viktimave të dhunës në familjes, pasi që ato të lëshojnë strehimoret dhe para se ato të bëhen plotësisht të pavaruara në kuptimin financiar.

Mirëpo, rritja e rasteve të këtyre dukurive nuk doli të ishte i vetmi problem në shoqëri pasi që sipas Grudës gjatë kësaj kohe u pa edhe mungesa informatave për rrugët që duhet t’i ndjekin viktimat e dhunës.

“E kemi parë se ka pasur mungesë të informacionit se ku ato duhet të drejtohen kur hasin në një rast të dhunës ose janë vetë viktimë e dhunës. Kështu që, mendoj që projekti ka ndikuar shumë pozitivisht mbi bazën  se sa janë informuar ato mbi bazën se ku kanë mundësi ose të drejtë të shkojnë të raportojnë për raste të tilla ose të ngjashme,” tha Gruda.

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.