OPDMK zhvillon Strategji Avokuese për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara 

Rreth 20 pjesëmarrëse për tre ditë me radhë (14,15,dhe 16 shkurt) morën pjesë në punëtorinë e organizuar nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) për zhvillimin e Strategjisë së Avokimit për Gratë dhe Vajzat me Aftësi të Kufizuara.  

Vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara nga gjashtë regjione të Kosovës u mblodhën për të diskutuar sfidat dhe problemet të cilat ato i hasinkurse rekomandimet e dala nga kjo punëtori do të përfshihen në strategji. 

Fillimisht, Drejtorja e OPDMK-së, Antigona Shestan ka prezantuar nisë“Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, si dhe ka treguar se kjo punëtori po mbahet pas përfundimit të info sesioneve. 

“Gjithçka është e mundur nëse jemi bashkë, nëse kemi solidaritet ndërmjet vete. Kudo që u thërrasin për t’i mbrojtur të drejtat tuaja, shkoni aty dhe jepni kontributin tuaj të pazëvendësueshëm. Kjo nismë është me rëndësi për përmirësimin e pozitës së grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara”, u shpreh Shestan. 

Pas një diskutimi mes pjesëmarrësve, Tringa Kasemi, facilitatore e kësaj punëtorie ka vlerësuar se aktivitete të tilla jo vetëm ndihmojnë të kuptohet realiteti përtej nesh, por edhe solidarizojnë gratë dhe vajzat dhe më shumë me njëra-tjetrën.  

“Diskutime, reflektime, përkushtim dhe vullnet i grave dhe vajzave, mbi të gjitha ndarje e nevojave dhe kërkesave reale të tyre, më ka bërë të ndjehem jashtëzakonisht mirë që isha pjesë e realizimit të kësaj punëtorie. Padyshim që angazhimi i përbashkët i gjithë neve pa asnjë dallim, do të kontribuojë shumë në ngritjen e zërit të grave”, tha Kasemi.  

Tutje, Pranvera Musaj, pjesëmarrëse, theksoi se kjo punëtori ka qenë shumë frytdhënëse, sidomos për arsye se aty kanë marrë pjesë shumë gra me aftësi të kufizuara 

“Pjesëmarrja jonë në politikë dhe në institucione do të kishte përmirësuar dukshëm pozitën tonë, kjo për shkak se duke qenë aty ku merren vendimet është shumë më e lehtë të fillojmë ndryshimin. Për vet faktin se jemi dy herë të diskriminuara si gra dhe si gra me aftësi te kufizuara, ia kemi borxh vetes të punojmë dy herë më shumë që t’i mbërrijmë objektivat tona”, u shpreh Musaj.  

 

Kryesuese e Grupit të Grave me Aftësi të Kufizuara u zgjodh Blerta Ahmeti nga Novobërda.  

“Punëtoria e organizuar nga OPDMK besoj se është një nga mundësitë më të mira qe u është dhënë grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në shoqërinë tonë për t‘i shprehur nevojat dhe pakënaqësitë e tyre, si dhe për të punuar në gjetjen e zgjidhjeve për problemet e përditshme në të cilat hasim […] Nuk duhet harruar se kjo luftë nuk na përket vetëm neve, por gjithë shoqërisë. Bashkë jemi më të fuqishme”, tha Ahmeti.  

Ajo ka thënë se hapi i parë drejt kësaj tashmë është bërë përmes krijimit të strategjisë për të gjitha regjionet. 

Resmije Rrahmani, OPDMK, ka çmuar mbështetjen e marrë nga RrGK-ja, duke shtuar se kjo është nisma e parë e këtij lloji në vend. 

Aktivitetet si ky janë shumë të dobishme për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara sepse aty krijohen ide dhe kushte për përmirësimin e jetës sonë. Ka pasur shumë të interesuara për këtë punëtori, dhe falë këtij angazhimi tani do të kemi strategjinë e parë për këto vajza dhe gra, për më tepër jam shumë e kënaqur që kjo gjë vjen nga OPDMK dhe RrGK”, u shpreh Rrahmani.  

Të pranishmet u pajtuan që të bashkëpunojnë sa më shumë me njëra tjetrën për avancimin e të drejtave të grave me aftësi të kufizuara në Kosovë. 

Ky takim dhe kjo nismë mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.  

LEXO EDHE: OPDMK avokon për pjesëmarrjen e grave me aftësi të kufizuara në politikë