Më 11 dhe 12 tetor, Nicole Farnsworth, përfaqësuese e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), shoqëroi koleget nga Fondacioni Kvinna till Kvinna në Bruksel për të takuar akterët kryesorë të përfshirë në zbatimin e Planit të Veprimit Gjinor të Bashkimit Evropian (BE) dhe për të avokuar për zbatimin e tij, duke përfshirë përfshirjen e përmirësuar dhe mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile të grave (OShCG).
Në vitin 2015, Komisioni Europian (KE) dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (ShEVJ) miratuan Dokumentin e Përbashkët të Punës së Stafit – Barazia Gjinore dhe Fuqizimi i Grave: Transformimi i Jetës së Vajzave dhe Gratë përmes Marrëdhënieve të Jashtme të BE 2016-2020 https://ec.europa.eu/europeaid/sites/devco/files/staff-working-document-gender-2016-2020-20150922_en.pdf, të njohur si Plani i Veprimit Gjinor (PVGj II). PVGj II ka disa qëllime, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, përdorimin e më shumë analizave gjinore për të informuar planifikimin e programeve të financuara nga BE; përfshirjen e OShCG-ve dhe Mekanizmave Kombëtarë për Barazi Gjinore (MKBGj) si zyrtarët e barazisë gjinore në programim; mbështetja e OshCG-ve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut; dhe rritja e fondeve për të përmirësuar rezultatet për vajzat dhe gratë. Eshtë e panevojshme të thuhet se PVGj II është një dokument shumë i rëndësishëm për OShCG-të.
Raporti i parë vjetor mbi zbatimin e PVGj II në mbarë botën u botua në gusht. Megjithatë, raporti nuk kishte informacione në lidhje me zbatimin e PVGj II në Kosovë dhe në rajon. Prandaj, RrGK bashkëpunoi me partnerët në rajon për të ndërmarrë një vlerësim të shpejtë të pavarur të PVGj II, i cili përfshinte intervistimin e 83 përfaqësuesve të delegacioneve të BE-së, qeverive dhe OShCG-ve në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor. Raporti që ka dal si rezultat i këtyre intervistave do të publikohet së shpejti.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit (DP PEFNZ), trupi përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, ftoi RrGK-në dhe Fondacionin Kvinna till Kvinna për të paraqitur gjetjet dhe rekomandimet fillestare gjatë takimit vjetor të Pikave Fokale të Gjinisë të KE-së në Bruksel me 11 tetor. Disa nga rekomandimet kryesore të bëra, në përputhje me PVGj II, përfshinin që delegacionet e BE-së duhet të:
- Përfshijnë dhe inkurajojnë qeveritë për përfshirjen e OShCG-ve në procesin e anëtarësimit në BE, duke përfshirë në të gjitha planifikimet e sektorëve;
- Konsultojnë OShCG-të lidhur me zhvillimet politike në vende, jo vetëm lidhur me "çështjet e grave";
- Diskutojnë çështje që kanë të bëjnë me barazinë gjinore me zyrtarët e qeverisë si pjesë e dialogut politik;
- Të sigurojnë që buxhetet e programimit për avancimin e barazisë gjinore, përfshirë analizat gjinore në lidhje me sektorë të veçantë, për veprimet për të adresuar pabarazitë e identifikuara përmes analizës gjinore dhe për financimin e OShCG-ve përfshihen në këto procese.
Brigitta Jaksa nga Fondacioni Kvinna till Kvinna foli për rëndësinë e mbështetjes së OshCG-ve në planin afatgjatë dhe se si një mbështetje e tillë kontribuon në ndryshimet shoqërore dhe ndikim të qëndrueshëm.
RrGK dhe Fondacioni Kvinna till Kvinna gjithashtu shfrytëzuan mundësinë e të qenit në Bruksel për të takuar dhe për të shkëmbyer informacione me:
- Aishih Wehbe-Herrera, Zyrtare e Politikave për Barazi Gjinore në DP PEFNZ, për të diskutuar strategjitë për avancimin e zbatimit të PVGj II;
- Qendra e Ekspertizës Tematike për Mbështetjen e Shoqërisë Civile për të diskutuar nevojat dhe modalitetet e financimit për OshCG-ve;
- Concord Europe, e cila sapo ka lansuar një komentar për vlerësimin e raportit të PVGj II për vitin 2016; dhe
- Shoqata për Gratë në Zhvillim (ShGZh), lidhur me mundësitë për bashkëpunim në avokimin e përbashkët për financimin e OShCG-ve dhe lëvizjeve të grave.