Më 25 mars, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mori pjesë në tryezën e organizuar nga Policia e Kosovës, lidhur me rastet e dhunës në familje dhe trajtimin e saj.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte të njoftonte akterët relevantë se çfarë është bërë në vitin 2020 dhe çfarë pritet të bëhet gjatë këtij viti për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.
Fillimisht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti u fokusua në atë se si duhet të trajtohen rastet e dhunës në familje nga policët.
“Ndonëse po punohet, ende po ka viktima të dhunës në familje, andaj duhet të mendohet një mënyrë e parandalimit dhe e trajtimit seriozisht të këtyre rasteve”, tha ai.
Më tutje, ai tha se është tejet e rëndësishme të krijohen mekanizma në Policinë e Kosovës, të cilët do ta monitorojnë punën e policëve që merren me rastet e dhunës në familjes se si po i trajtojnë këto raste. Po ashtu, ai theksoi, rëndësinë e raportimit të rasteve ku policët kanë bërë shkelje në trajtimin e këtyre rasteve.
Nga Ministria e Drejtësisë ishte e pranishme këshilltarja Nazlie Balaj, e cila u zotua se nuk do të kenë kompromis ndaj asnjërit që i neglizhon rastet e dhunës në familje.
Po ashtu, ajo theksoi se dhuna në familje është ndër tri prioritetet e kësaj ministrie.
Adelina Berisha, Menxharja e Programit për Dhunë në Baza Gjinore në RrGK ka përmendur se është jashtëzakonisht e rëndësishme që zyrtarët që i trajtojnë këto raste duhet të kenë ndjeshmëri gjinore.
Berisha dha disa rekomandime në këtë tryezë. Ajo tha se duhet të merren parasysh të gjitha kategoritë e dhunës në baza gjinore.
“Policia duhet të kenë kujdes se çfarë pyetje i bën në intervistë personit që ka përjetuar dhunë; prokurorët duhet të raportojnë policët që bëjnë shkelje; si dhe duhet të funksionalizohet mekanizmi koordinues në Prishtinë, në mënyrë që akterët të takohen më shpesh, t’i diskutojnë ngecjet e sukseset”, tha Berisha.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues nga Agjencia për Barazi Gjinore, UN Women, Prokuroria, Strehimoret, e të tjerë.
RrGK ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë me trajnime dhe koordinime të nevojshme, duke marrë parasysh punën afatgjatë për të luftuar dhunën ndaj grave.
RrGK do të vazhdojë të avokojë dhe monitorojë institucionet që merren me trajtimin e këtyre rasteve.
LEXO EDHE: RrGK: Shteti të parandalojë vrasjet e grave