Programet

Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) është që të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në tërë Kosovën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fetare, moshës, nivelit të edukimit, orientimit seksual dhe aftësive.

RrGK e ka vizion një Kosovë në të cilën gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Strategjia e RrGK-së përfshin gjashtë fusha programatike siç shpjegohen më poshtë. RrGK zbaton Strategjinë e saj në bashkëpunim të ngushtë me 140 organizatat e saj anëtare dhe partnerët.

Gratë në politikë dhe vendimmarrje

Integrimi i perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE
Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor
E drejta për shëndet

Problemi

Pavarësisht zotimeve ligjore për pjesëmarrje të barabartë, gratë në Kosovë mbeten me përfaqësim të vogël në vendimmarrje, për shkak të normave patriarkale, kontrollit të partive politike dhe barrierave sistemike. Ndërsa kuotat kanë përmirësuar normat e pjesëmarrjes, gratë – veçanërisht nga komunitetet e margjinalizuara – rrallë kanë pushtet a ndikim real, duke kufizuar aftësinë e tyre për të formësuar politikat ose për të përfaqësuar interesat e grave të ndryshme. Ky përjashtim shihet edhe në proceset e paqes dhe sigurisë: megjithëse gratë kanë udhëhequr përpjekje paqësore në nivel lokal e rajonal, ato vazhdojnë të margjinalizohen në negociatat e nivelit të lartë si Dialogu Prishtinë–Beograd dhe rrallë konsultohen nga negociatorët e BE-së apo ata vendorë. Si rezultat, nevojat dhe prioritetet e grave shpesh anashkalohen. Kjo bie ndesh me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të cilën Kosova ishte zotuar përmes një Plani Kombëtar të Veprimit që nuk është ripërtërirë që nga skadimi i tij në vitin 2015.

 

Strategjia e RrGK-së

Rritja dhe përmirësimi i pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në vendimmarrje në nivel lokal dhe qendror, e realizuar përmes:

  • Rritjes së kapaciteteve të grave në politikë për të avokuar për prioritetet e grave;
  • Rritjes së ndërgjegjësimit të zyrtarëve publikë për rëndësinë e harmonizimit të Ligjit për Barazi Gjinore me ligjet zgjedhore;
  • Rritjes së ndërgjegjësimit të zyrtarëve për nevojën e përmirësimit të vëmendjes ndaj barazisë gjinore në ligje, në politika dhe programe;
  • Përmirësimit të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave të ndryshme në proceset e vendimmarrjes mbi çështjet mjedisore dhe ndryshimet klimatike;
  • Rritjes së ndërgjegjësimit të zyrtarëve qeveritarë, BE-së, OKB-së dhe akterëve të tjerë për rëndësinë e përfshirjes së grave të ndryshme në proceset e paqes me Serbinë dhe adresimit të prioriteteve të grave në këto procese, sipas Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Aktivitetet kryesore

  • Fuqizimi i grave në politikë në nivel lokal dhe qendror përmes trajnimeve, mentorimit, rrjetëzimit dhe mbështetjes për avokim;
  • Avokimi për harmonizimin e Ligjit për Barazi Gjinore dhe ligjeve zgjedhore përmes takimeve publike dhe fushatave të ndërgjegjësimit;
  • Përgatitja e komenteve dhe rekomandimeve të fokusuara në barazi gjinore për ligje, politika dhe programe në sektorë të ndryshëm, duke i përcjellë ato te zyrtarët përgjegjës;
  • Organizimi i takimeve me gratë dhe vajzat dhe avokimi te institucionet përkatëse për integrimin e vëmendjes ndaj avancimit të barazisë gjinore si pjesë e përpjekjeve për të adresuar çështjet mjedisore;
  • Vazhdimi i avokimit për përfshirjen e grave në proceset e paqes dhe dialogut përmes avokimit, takimeve me zyrtarë publikë, zyrtarë të BE-së dhe OKB-së, si dhe fushatave të ndërgjegjësimit.

Arritjet tona

  • Drejtoresha Ekzekutive e RrGK-së ka mentoruar 112 gra të ndryshme në politikë, duke mbështetur zhvillimin dhe avokimin e tyre të lidershipit;
  • Që nga viti 2012, janë angazhuar gjithsej 6,661 gra të ndryshme në politikë dhe proceset e vendimmarrjes;
  • Ka avokuar për harmonizimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me Ligjin për Barazi Gjinore (50% pjesëmarrje); ka kontribuar në përfshirjen e dispozitave për financimin e fushatave për kandidatet gra;
  • Ka ndikuar në përmirësimin e së paku 212 ligjeve dhe politikave që nga viti 2012;
  • Ka komentuar 276 ligje dhe politika publike që nga viti 2012;
  • Ka bashkëpunuar me Presidenten, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Drejtësisë, BE-në dhe KQZ-në përmes Rrjetit Strategjik për Politika Gjinore dhe Forumit Ekonomik të Grave për të promovuar barazinë gjinore në politikë.
  • RrGK është lidere globale në avokimin për zbatimin e Agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria. Drejtoresha Ekzekutive, Igballe Rogova, ka shërbyer si anëtare e Panelit Këshillëdhënës të Shoqërisë Civile të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe e Grupit Këshillëdhënës të Nivelit të Lartë të Ekspertëve për Studimin Global mbi zbatimin 15-vjeçar të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; RrGK ka botuar dy edicione të “1325 Fakte & Mite“, ku kombinon të dhëna dhe rrëfime personale që ilustrojnë sfidat dhe arritjet në zbatimin e Rezolutës 1325 në Kosovë nga viti 2000 deri më 2020, duke u bërë thirrje akterëve vendorë e ndërkombëtarë të ndërmarrin veprime më të fuqishme.
  • Në vitin 2024, RrGK ka dërguar 13 letra avokuese dhe ka zhvilluar takime me zyrtarë, duke avokuar për përfshirjen e grave të ndryshme në proceset e paqes.
  • Ndërmjet viteve 2024 dhe 2025, RrGK ka realizuar një “Analizë Gjinore mbi Paqen dhe Sigurinë në Kosovë”, e porositur nga Zyra e BE-së në Kosovë, duke ofruar analiza të bazuara në prova për të mbështetur një veprim të jashtëm më gjithëpërfshirës, të përgjegjshëm gjinor dhe të qëndrueshëm të BE-së në vend.