Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA 2020 – 2024 adreson rekomandimet e RrGK-së

Misionin e përkrahjes, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) e realizon ndër të tjera edhe përmes bashkëpunimit profesional të ndërtuar me institucionet kosovare, duke arritur të jetë një ndër palët kyçe në proceset e konsultimit për hartimin e dokumenteve të rëndësishme që janë udhërrëfyes të Kosovës në shumë fusha. Në këto suaza, RrGK ka arritur që së fundmi të adresojë me sukses çështje shumë të rëndësishme edhe në Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020 – 2024 i cili është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës një muaj më parë.

Marrja në konsideratë e pothuajse 80% të rekomandimeve të Rrjetit është sukses i madh për faktin që me punë dhe angazhim është arritur që çështjet e ngritura prej nesh të kuptohen dhe të marrin vëmendjen e duhur për të qenë pjesë e një dokumenti të një rëndësie të veçantë siç është PKZMSA.

Ky dokument ka për qëllim zbatimin e të gjitha reformave për adoptimin e acquis-së së Bashkimit Evropian (BE) në legjislacionin kombëtar në të gjithë kapitujt e saj: kriteret ekonomike, politike dhe standardet evropiane. Secili organ i administratës shtetërore është përgjegjës për zbatimin e Programit dhe monitorimin e zbatimit të tij në kuadër të fushëveprimit të kompetencave të tij. Vetë Marrëveshja për Stabilizim-Asociim përcakton një proces tepër të rëndësishëm në krijimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik.

Në kuadër të masave dhe prioriteteve të përcaktuara për secilën shtyllë të Programit të cilat ndërlidhen edhe me programet e Rrjetit, janë rekomanduar plotësime në PKZMSA me qëllim që këto masa dhe prioritete të sigurojnë pjesëmarrje të barabartë të grave në politikë dhe vendimmarrje, fuqizim ekonomik të grave, përmirësim të qasjes në edukim cilësor dhe të ndjeshëm gjinor, trajtimin e duhur institucional dhe ndërmarrjen e masave të eliminimit të dhunës në familje.

Konkretisht, rekomandimet janë adresuar për:

  • zbatim jo selektiv të legjislacionit për barazi gjinore; 
  • përfshirje të perspektivës gjinore në legjislacion;
  • analizat e mirëfillta profesionale për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të zbatuar në të gjitha fazat e dizajnimit, planifikimit dhe monitorimit të zbatimit të projekteve;
  • harmonizimin me acquis për zbatimin e parimit të trajtimit të barabartë midis burrave dhe grave në qasje dhe furnizim me mallra dhe shërbime;
  • barazinë në listat zgjedhore dhe përfaqësim 50% të grave;
  • administratën publike që respekton parimet e meritës, transparencës dhe përfaqësimit të drejtë e të barabartë dhe fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve që të sigurojnë mbizotërimin e këtyre parimeve;
  • sigurimin e të dhënave të domosdoshme sa i përket implikimeve gjinore të joformalitetit në ekonomi dhe që shërbejnë për të planifikuar masat për zvogëlimin e hendekut gjinor të pagave;
  • krijimin e një sistemi efektiv dhe të barabartë të përcaktimit të të drejtave pronësore që kontribuon në pavarësimin financiar të grave në Kosovë;
  • ndarjen e fondeve për sektorët kyç (sikurse energjia) duke siguruar transparencë dhe barazi gjinore;
  • legalizimin e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, sidomos në sektorin joformal ku punojnë pa kontrata;
  • lehtësimin e procedurave për qasje në kredi dhe mos kufizimin fondeve për ndërmarrjet në pronësi të grave;
  • zbatimin e dispozitave ligjore që mund të ndihmojnë në uljen e pabarazisë gjinore në proceset e prokurimit publik;
  • mos-diskriminimin në punësim dhe politika sociale;
  • Reformimin e sistemit të pushimit të maternitetit dhe paternitetit për të evituar pengesën në procedurat e rekrutimit të grave, veçanërisht në sektorin privat;
  • miratimin e ligjit të ri për mbrojtje kundër dhunës në familje dhe legjislacionit zbatues që mbështet menaxhimin e denjë të rasteve të dhunës në familje, përfshirë rehabilitimin dhe riintegrimin në kuadër të shërbimeve sociale të personave të cilët përjetojnë dhunë;
  • krijimin e një linje të përhershme buxhetore për financim të qëndrueshëm të strehimoreve, për të siguruar mbulimin e të gjitha shpenzimeve të nevojshme për funksionimin e këtyre qendrave sociale; dhe,
  • Përmirësimin e kornizës politike dhe strategjike për hulumtim dhe inovacion, duke siguruar përfaqësimin e barabartë gjinor dhe reflektimin e aspekteve gjinore.

Lidhur me çështjet e ngritura, Rrjeti ka rekomanduar ndërmarrjen e veprimeve konkrete brenda fushëveprimeve të caktuara për të siguruar respektim dhe promovim të barazisë gjinore sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, por me mangësi në zbatim.

RrGK vlerëson që zbatimi i suksesshëm jo i vetëm këtij programi por edhe i tërë legjislacionit përkatës për barazi gjinore do të ndihmojë që Kosova të bëhet një vend me gra dhe burra të barabartë dhe me mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, dhe që bëjnë një jetë pa dhunë.

RrGK do të vazhdojë të monitorojë e kontribuojë në proceset e rëndësishme drejt integrimit evropian përmes ofrimit të analizave gjinore, avokimit dhe bashkëpunimit.