Protestohet në Prishtinë: Vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare

Sot, më 26 gusht, qytetarë dhe aktivistë të shumtë u bashkuan në protestë për të kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Marigona Osmanit dhe të vajzave e grave tjera.

Protesta e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, filloi pranë Ministrisë së Drejtësisë, duke vazhduar me marsh deri tek objekti i Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe përfunduar pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo protestë pati këto kërkesa:

1. Trajtimin e femicidit si urgjencë kombëtare;
2. Krijimin e një departamenti brenda Ministrisë së Brendshme për parandalim dhe trajtim të femicidit;
3. Monitorim, sanksionim dhe shkarkim të Gjyqtarëve, Prokurorëve, dhe Policëve të Kosovës që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe ndjeshmëri gjinore, sipas Kodit Penal të Kosovës dhe Konventës së Stambollit; Llogaridhënie nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe Inspektorati Policor për këto raste të shkeljeve;
4. Plan konkret nga Qeveria e Republikës së Kosovës për luftimin e dhunës me bazë gjinore;
5. Siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat.

RrGK do të vazhdojë të monitorojë rastin si dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet deri në qartësimin e rastit dhe dënimin e fajtorëve.

“Jeta pa dhunë me bazë gjinore” mbetet ndër programet kyçe të RrGK-së. Çdo ditë ne angazhohemi si me aktivizëm po ashtu edhe përmes lobimit në institucione që gratë dhe vajzat të jetojnë një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore, këtu përfshihet përmirësimi i vetëdijësimit dhe vëmendjes në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore duke përfshirë dhunën në familje, përdhunimin dhe ngacmimin seksual.

Lexoni KËTU reagimin e RrGK-së lidhur me këtë rast.

Lexo më shumë: Protestohet në Ferizaj, kërkohet dënim maksimal për fajtorët e vrasjes së 18-vjeçares