Protestohet në Ferizaj, kërkohet dënim maksimal për fajtorët e vrasjes së 18-vjeçares

Sot, më 24 gusht, qytetarë dhe aktivistë të shumtë u bashkuan në protestë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e 18-vjeçares me inicialet M.O, dy ditë më parë në Ferizaj.

Protesta e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt, filloi pranë Stacionit Policor dhe vazhdoi me marsh deri tek objekti i Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj.

Me parulla të shumta dhe thirrje për drejtësi, protestuesit kanë kërkuar dënim maksimal për vrasësit e 18-vjeçares.

“Poshtë institucionet patriarkale”, “Jeta e grave, hajgare për shtetin”, “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Dënim maksimal për Arbër Sejdiun”, “Duam drejtësi për Marigonën”, “Drejtësi për krejt gratë e vrame”, “Dënime maksimale për vrasësit e grave”, “Policia i ka duart me gjak”, ishin disa prej parullave që aktivistët/et mbanin në duar gjatë protestës.

Kërkesat e protestës janë:

1. Adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit;
2. Dënim maksimal për fajtorët;
3. Siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat;
4. Trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

RrGK do të vazhdojë të monitorojë rastin si dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet deri në qartësimin e rastit dhe dënimin e fajtorëve.

“Jeta pa dhunë me bazë gjinore” mbetet ndër programet kyçe të RrGK-së. Çdo ditë ne angazhohemi si me aktivizëm po ashtu edhe përmes lobimit në institucione që gratë dhe vajzat të jetojnë një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore, këtu përfshihet përmirësimi i vetëdijësimit dhe vëmendjes në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore duke përfshirë dhunën në familje, përdhunimin dhe ngacmimin seksual. 

Lexoni KËTU reagimin e RrGK-së lidhur me këtë rast.