Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave

Të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë ende nuk u kushtohet vëmendje e mjaftueshme nga udhëheqësit politikë të Kosovës. Çështja e dhunës seksuale gjatë luftës nuk është ngritur në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Asnjëherë nuk është kërkuar falje zyrtare për krimet e kryera ndaj grave, ndërsa për dënime apo dëmshpërblime nga gjykata as që bëhet fjalë.

Në përgjithësi, shoqëria i ka izoluar dhe nuk i ka mbështetur gratë të cilat kanë pësuar nga ky krim i tmerrshëm. Si rezultat, shumë gra janë përpjekur që të vazhdojnë jetën e tyre pa ditur asnjëherë se si të përballen në aspektin psikologjik me dhimbjen e tyre. Kjo shpesh ka rezultuar me pasoja të rënda shëndetësore, duke përfshirë traumat, fobinë, si dhe lëndimet e pashëruara fizike. Identifikimi i grave të cilat kanë përjetuar krime të tilla është me rëndësi esenciale në mënyrë që tu sigurohet ndihma shumë e nevojshme në zhvillimin e mekanizmave të përballimit të cilët do t’iu mundësojnë atyre të jetojnë jetën e tyre.

Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në vitin 2012i ka filluar përpjekjet për t’i ndihmuar gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës, ato qendra kanë rehabilituar 37 gra, të cilat i ka gjurmuar në 13 fshatra të rajonit të Drenasit, tek organizatat e specializuara në ofrimin e rehabilitimit psikologjik dhe mjekësor. Për më tepër, qendra ka organizuar takimin e këtyre grave me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, për t’i identifikuar dhe paraqitur tetë kërkesa në emër të grave të mbijetuara.

Përpjekja e tyre ishte aq e suksesshme sa që ato kanë marrë mbështetje shtesë nga Fondi i Grave të Kosovës në vitin 2013 (2,707 €), që iu ka mundësuar t’i rrisin arritjet e vitit të kaluar duke i ndihmuar gratë edhe në 15 fshatra të tjera. Gjithsej, që nga viti 2012, ata kanë ndihmuar 69 gra. 
“Heshtja është thyer,” tha Kadire Tahiraj nga kjo Qendër. “Ne kemi punuar me vullnet të madh, dhe e vlerësojmë ndihmën dhe mbështetjen që kemi nga Rrjeti i Grave të Kosovës.”

Përveç sigurimit të mbështetjes psikologjike dhe ndihmës mjekësore, qendra i ka inkurajuar dhe mbështetur gratë që t’i shprehin nevojat e tyre tek institucionet publike. Kjo ka përfshirë edhe mundësinë unike për këto gra që të takohen me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, në mënyrë që t’i shprehin me fjalë shqetësimet e tyre dhe të kërkojnë mbështetje institucionale.

Pas marrjes së tetë kërkesave të tyre vitin e kaluar, Presidentja Jahjaga i ka vizituar gratë në vitin 2013 ku kanë kërkuar që qeveria të plotësojë nevojat e tyre.
“Çelësi i jetës sonë është hapur,” tha një grua e cila ndihmohet nga Qendra. “Po më jepni shpresë për të vazhduar jetën. Unë ndjehem më e fuqishme, dhe nuk do të ndalem deri sa drejtësia të vihet në vend.”