Të premten, më datë 4 maj, Ministria e Integrimit Evropian organizoi një seminar për “përmirësimin e procesit dhe praktikës së integrimit gjinor në projektet e IPA-s”, ku Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) prezantoi “Si të integrohen më mirë çështjet gjinore në projektet e IPA-s; metodologjia dhe shembuj praktikë”.
Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA) është i rëndësishëm sepse përmes tij sigurohen financime nga Bashkimi Evropian (BE) për përkrahjen e qeverisë së Kosovës në përparimin drejt përmbushjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe, për rrjedhojë, edhe në drejtim të anëtarësimit në BE.
Në pajtim me Ligjin e Kosovës për Barazinë Gjinore, të gjitha ligjet, politikat, dhe programet duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit nga perspektiva gjinore dhe ta pasqyrojnë këtë të fundit. Meqenëse programimi i IPA-s përkrah zbatimin e ligjeve dhe strategjive ekzistuese qeveritare, ai duhet të përkrahë adresimin e nevojave që janë identifikuar tashmë në kuadrin e strategjive ekzistuese qeveritare. Megjithatë, disa ligje dhe strategji në Kosovë, sidomos lidhur me sektorë specifikë, janë “të verbër nga ana gjinore”: në to nuk janë marrë parasysh sa duhet nevojat dhe interesat e ndryshme të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve.
Ndërkohë, në vitin 2015, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian miratuan Planin e dytë të Veprimit Gjinor (PVGJ II). Përmes këtij dokumenti i bëhet thirrje BE-së që të sigurojë që çështjet gjinore të integrohen në shpenzimet e saj të jashtme. Për këtë arsye, Zyra e BE-së duhet të sigurojë që barazia gjinore të merret parasysh në programet që ajo financon, sidomos nëse qeveria nuk ka marrë parasysh sa duhet në strategjitë e veta çështjet që kanë të bëjnë me barazinë gjinore. PVGJ-ja II bën thirrje edhe për përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile të grave (OSHCG) dhe mekanizmave kombëtare për barazi gjinore (MKBGJ), siç janë zyrtarët e barazisë gjinore, në hartimin e programeve të IPA-s.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta që prej vitit 2015 dhe udhëzimeve zyrtare të Kryeministrisë lidhur me përfshirjen e MKBGJ-ve në të gjitha proceset, OSHCG-të dhe MKBGJ-të, deri më sot, janë përfshirë fare pak në procesin e hartimit të programeve të IPA-s. Një rast përjashtimor ka qenë RrGK-ja, një OSHCG, e cila ka shqyrtuar dhe komentuar të gjitha programet e IPA-s nga pikëpamja gjinore që prej IPA-s së vitit 2015, në kuadrin e një kontrate të lidhur me Zyrën e BE-së, dhe, në këtë mënyrë, ka kontribuar në përkrahjen e përfshirjes së analizës gjinore dhe perspektivave të shoqërisë civile të grave në kuadrin e programimit. Kjo praktikë e mirë është njohur nga BE-ja në Bruksel. Megjithatë, pavarësisht kërkesave për të marrë pjesë më herët në programim, RrGK-ja është ftuar vetëm për të shqyrtuar dokumentet përfundimtare të programimit të IPA-s.
“Është sfidë të përfshirë çështjet gjinore në fund të procesit të programimit,” vuri në dukje Florim Canolli, drejtor i Departamentit të Asistencës Zhvillimore në Ministrinë e Integrimit Evropian.
Të gjithë aktorët përgjegjës që marrin pjesë në seminar ranë dakord që është problematike të përpiqesh të përfshirë analizën gjinore dhe veprimet që duhet të ndërmerren në drejtim të barazisë gjinore pasi të jetë hartuar programi. Përkundrazi, analiza gjinore duhet të kryhet në fillim fare të fazës së hartimit dhe më pas të përdoret për të nxjerrë të dhëna që do të përdoren për hartimin real të programit.
Në këtë seminar u mblodhën përfaqësues nga ministritë, duke përfshirë zyrtarët e barazisë gjinore; përfaqësues nga Agjencia për Barazi Gjinore, Zyra e BE-së, dhe RrGK-ja, për të diskutuar se si mund të përmirësohet procesi i hartimit të programeve të IPA-s për të inkorporuar më mirë perspektivën gjinore. Pjesëmarrësit gjetën disa mënyra për të shkuar përpara, duke përfshirë:
- Përforcimin e vullnetit politik dhe përmirësimin e njohurive të sekretarëve të përhershëm dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë lidhur me rëndësinë e analizës gjinore dhe përfshirjen e MKBGJ-ve
- Trajnimin e MKBGJ-ve për menaxhimin e ciklit të projektit dhe IPA-s me qëllim që ata të mund të japin kontributin e tyre të mirinformuar në procesin e hartimit të programeve;
- Organizimin e trajnimeve dhe këshillimeve për qeveritarët zyrtarë që merren me hartimin e programeve të IPA-s, lidhur me analizën gjinore dhe integrimin gjinor, duke marrë parasysh përgjegjësitë e tyre sipas Ligjit për Barazi Gjinore:
- Sigurimin e përfshirjes së hershme të OSHCG-ve në konsultimet me publikun për programimin e IPA-s për periudhën 2019-2020, në qershor; dhe
- Përkthimin e dokumenteve draft të IPA-s në gjuhën shqipe dhe serbe me qëllim që zyrtarët qeveritarë dhe OSHCG-të të mund t’i kuptojnë më mirë dhe të kontribuojnë në to.