Reagon RrGK: Të caktohet masa e sigurisë dhe të shkarkohet nga rolet udhëheqëse gazetari Arben Ahmeti 

Download File

Sot përmes mediave u njoftuam për një rast të dhunës në familje nga një person publik dhe gazetar në mediumet tona.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi kërkon që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme që dhunuesit të ndalohen dhe ndaj tyre të caktohen masat e sigurisë, me qëllim që të njëjtëve t’iu ndalohet përsëritja e dhunës në familje dhe RrGK kërkon dënim meritor sipas legjislacionit që aktualisht kemi në fuqi.

Gjithashtu, përmes këtij reagimi RrGK kërkon që gazetari Arben Ahmeti në momentin e vërtetimit të kryerjes së veprës penale, të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet dhe të mos jetë i pranishëm në debate televizive. Prezenca e tij në media dhe paraqitja e tij publike janë të rrezikshme pasi që përmes tyre mund të promovojë dhunën dhe potencialisht edhe ta normalizojë atë.

RrGK fton Këshillin e Pavarur të Mediave, që sipas Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave të trajtojë rastin e vazhdimit të licencës së mediumit të udhëhequr, në këtë rast, personit juridik të udhëhequr nga një person me vepër penale.

Madje, personat publikë të cilët janë dhunues vetëm se bëjnë thirrje që dhuna të rritet dhe gratë të trajtohen si objekte.RrGK kërkon që raste t e tilla të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet tona dhe dhunuesit të vuajnë dënimin meritor. Përmes këtij reagimi, ftojmë mediat që të raportojnë për rastin me saktësi të plotë duke mos e kursyer për hir të “miqësisë” që kanë me gazetarin Arben Ahmeti.

Po ashtu, bëjmë thirrje që gjatë punës me viktimën e dhunës në familje të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme. RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave e grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.