Në vitin 2015, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) realizoi hulumtimin “Mjaft më me arsyetime”, i cili kishte për qëllim të vlerësonte qëdrimet e qytetarëve të Kosovës karshi dhunës në familje, të bëjë monitorimin e zbatimit të kornizës ligjore që lidhet me adresimin e dhunës në familje si dhe të vlerësoj performancën e institucioneve individualisht lidhur me kryerjen e detyrave të tyre.
Hulumtimi përfshinte anketimin e 1315 qytetarëve mbi moshën 18 vjeçare në mbarë Kosovën, nga të gjitha përkatësitë etnike (51.6% gra dhe 48.4% burra). Hulumtimi ka mbuluar si zonat rurale (59.2%), ashtu edhe ato urbane (40.8%). Hulumtimi poashtu ka përfshirë më shumë se 200 intervista me përfaqësues të institucioneve publike që kanë përgjegjësi për zbatimin e kornizës ligjore, të shoqërisë civile dhe të akterëve të tjerë kyç. Raporti përfundon me rekomandime konkrete për përmirësimin e përgjigjes institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë, përfshirë edhe rekomandimet drejtuar institucioneve individualisht.
Në nëntor të vitit 2015, me iniciativën e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, njëkohësisht zëvendësministër i drejtësisë z. Lirak Çelaj, filloi edhe procesi i draftimit të Strategjisë dhe Planit Nacional të Veprimit kundër Dhunës në Familje për periudhën 2016-2020. Të dhënat e hulumtimit “Mjaft më me arsyetime!” të realizuar nga RrGGK u përdorën si bazë për draftimin e këtyre dy dokumenteve shumë të rëndësishme. Më shumë se 70% e rekomandimeve të këtij raporti janë inkorporuar në këto dy dokumente, të cilat edhe e përbëjnë shtyllën e luftimit të dhunës në familje në Republikën e Kosovës.
Kjo është hera e dytë që të dhënat e hulumtimeve të bëra nga RrGGK po shfrytëzohen për të krijuar kornizën ligjore dhe mekanzimat në mbrojtje nga dhuna në familje. Në vitin 2008, RrGGK kishte realizuar hulumtimin “Siguria fillon në shtëpi” i cili ka shqyrtuar kornizën ligjore, nivelet e vetëdijesimit në lidhje me dhunën në familje, format e saj dhe performancën e institucioneve që ofrojnë ndihmë, të dhënat e të cilit në atë kohë u përdorën për të draftuar Ligjin në Mbrojtje nga Dhuna në Familje.