“Tregu i Grave” në Sheshin “Nëna Terezë” si risi në Prishtinë, shet produkte të grave dhe në të njëjtën kohë organizon evenimente në rrugë për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e grave.
Nga vera e vitit 2013, Tregu i Grave, i drejtuar nga OJQ-ja Rikotta, ka filluar të shesë çdo ditë prodhime të pjekura të përgatitura nga gratë në këtë shesh të mbushur me njerëz, i cili gjendet pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Këtë verë, gjashtë gra përfituan dhe i çuan në shtëpi fitimet nga shitjet e tyre. Falë kësaj nisme, një grua tepër punëtore ka arritur të fitojë deri në 780 euro në muaj gjatë tre muajve.
Përveç ndihmës së dhënë anëtareve të saj për të fituar ca të ardhura shtesë, Rikotta e përdor këtë hapësirë publike për të organizuar tre fushata në tema që përfshinin: gratë të cilat kanë përjetuar dhunë në familje dhe trafikim; fëmijët me Sindromin Down; dhe për fëmijët me Autizëm.
Rikotta e hapi këtë Treg sepse ishte e brengosur nga mungesa e iniciativave qytetare për të çuar më tej të drejtat dhe pjesëmarrjen e grave në jetën publike.
“Nismat e qytetarëve janë iniciativa shumë të mira për nxitjen e solidaritetit mes organizatave të grave, si dhe barazisë gjinore,” tha Pranvera Bullaku, Drejtoreshë Ekzekutive e
Rikotta-s.
“Tregu i Grave” është një nismë e ndërmarrë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e cila e ofroi pa pagesë vendin ku zhvillohen aktivitetetë ndryshme. Agim Gashi, Drejtor i Departamentit për Shërbime Publike pranë Komunës së Prishtinës, hapi zyrtarisht “Tregun e Grave” më 12 gusht.
“Ne synojmë t’i mbështesim të gjitha nismat pozitive të qytetarëve të Prishtinës, veçanërisht ato nisma të cilat përqendrohen tek të drejtat e grave dhe puna e rëndë e tyre,” tha Agim Gashi.
Kjo iniciativë gjithashtu është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës. Rikotta mori një grant prej 2,990 € në korrik të vitit 2013.
Duke u mbështetur në bashkëpunimin pozitiv me kryetarin e Komunës, Tregu i Grave do të mund të parashtrojë sërish kërkesë në qershor 2014 për një hapësirë të lirë në Sheshin “Nëna Terezë” për muajt e verës.
Publiciteti dhe mbulimi mediatik i “Tregut të Grave” ka tërhequr vëmendjen e grave të tjera të cilat janë të interesuara për t’iu bashkuar kësaj nisme. Në vitin 2014 pjesë e Tregut të Grave do të bëhen edhe katër gra përfaqësuese të OJQ-ve tjera.
Megjithëse Tregu i Grave nuk do të vendoset në shesh gjatë muajve të dimrit, gratë do të angazhohen në vazhdimin e punimeve të tyre. Për të mësuar për nismat e tyre dhe/ose për të blerë produkte të prodhuara nga gratë, mund të telefononi në numrin tonë të telefonit: +377 (0)44 429 432.