Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka kryer anketimin e parë në njësi familjare në mbarë Kosovën lidhur me incidencën e dhunës në familje në vitin 2008, në bashkëpunim me Agjencionin për Barazi Gjinore (ABGJ) pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe Iniciativën për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gruas, të Programit për Zhvillimin të Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Ka kaluar mjaft kohë nga studimi i të dhënave bazë dhe tashmë ka ardhur koha të ndërmerret një studim përcjellës për të matur se si kanë ndryshuar qëndrimet me kalimin e kohës, si dhe për të identifikuar hapësirat e mbetura në përballjen ligjore dhe zbatimin e tij. RrGGK-ja, planifikon ta ndërmarrë këtë hulumtim të rëndësishëm në bashkëpunim me palët e tjera kyçe të interesuara. Hulumtimi do të ofrojë të dhëna për Strategjinë dhe Planin e ri Kombëtar të Mbrojtjes kundër Dhunës në Familje, drafti i së cilës është planifikuar të hartohet në vitin 2015. Ky hulumtim do të financohet nga Austrian Devlopment Agency.
I titulluar “Siguria fillon në shtëpi”, publikimi i dalë në vitin 2008, ka shqyrtuar nivelet e vetëdijësimit në lidhje me dhunën në familje, format e saj, dhe se ku të kërkohet ndihmë. Hulumtimi ka përfshirë gjithashtu edhe intervista me zyrtarë në institucionet përgjegjëse për zbatimin e kornizës ligjore të atëhershme, që ka të bëjë me dhunën në familje. Ky studim i rëndësishëm ka siguruar të dhëna për Ligjin për Mbrojtjen kundër Dhunës në Familje; Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Veprimit (SPKV); dhe Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) në Kosovë për personat që kanë vuajtur nga dhuna në familje, të cilat janë përdorur nga të gjitha këto institucione.
Qëllimet e hulumtimit të ri të cilin do ta ndërmerrë RrGGK në muajt në vijim, përfshinë matjen (e ndryshimeve) e qëndrimeve, vetëdijësimit dhe incidencës, respektivisht, dhunës në familje dhe ngacmimit seksual në Kosovë; dhe monitorimin e zbatimit të kornizës ligjore nga ana e institucioneve përkatëse publike (p.sh. policia, gjykatësit, prokurorët, avokatët e viktimave, strehimoreve, zyrave për ndihmë ligjore, etj.), në veçanti Planit të Kosovës për Mbrojtje ndaj Dhunës në Familje.
Në hulumtim do të përdoren metoda të përziera, në të cilat do të bëjnë pjesë: shqyrtimi i kornizës ligjore për të gjetur hendeqet e mbetura në përballjen ligjore dhe zbatimin e saj; kryerja e anketimit me 1,290 qytetarë për të matur vetëdijësimin, qëndrimet dhe incidencën e dhunës në familje dhe ngacmimit seksual (me një konfidencë prej 95 %); intervista me institucione dhe akterë të cilët janë përgjegjës për zbatimin e kornizës ligjore; dhe shqyrtimi i të dhënave statistikore të mbledhura nga institucionet përkatëse për ndërhyrjet zyrtare në rastet e dhunës në familjes që prej vitit 2008.
Hulumtimi pritet të publikohet në gjysmën e parë të muajit shtator 2015 dhe do të jetë në dispozicion në tri gjuhë. Hulumtimi do të përdoret për t’iu ofruar informata iniciativave të avokimit, të cilat do të ndërmerren nga ana e RrGGK-së dhe anëtarëve të saj nga mesi i vitit 2015 dhe fundi i vitit 2017 (në bashkëpunim me palët e tjera të interesuara). I njëjti proces i hulumtimit do të përsëritet në vitin 2017 për të matur ndryshimet në qëndrime dhe sjellje.